Kaloni te përmbajtja kryesore

Naser Hafizit i vazhdohet paraburgimi, Izedin Bytyqi mbetet në arrest shtëpiak

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj ushtruesit të detyrës së drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore (ARPL) në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Naser Hafizi. Kurse, Izedin Bytyqit- zëvendëssekretar në MMPHI, i vazhdohet arresti shtëpiak edhe për një muaj.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë. Gashi për Naser Hafizin tha se masa e paraburgimit për të është vazhduar nga 10 nëntori 2024 dhe do të zgjasë deri më 10 janar 2025.

“Ju njoftojmë se me datë 08.11.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale ndaj të pandehurit N.H.”, tregon zëdhënësia e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ndërsa, për Bytyqin nga Gashi thuhet se masa e arrestit shtëpiak i është vazhduar deri më 8 dhjetor 2024. “Të pandehurit N.H i është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej (2) muaj, respektivisht nga data 10.11.2024 deri me 10.01.2025. Po ashtu Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak në çështjen penale ndaj të pandehurit I.B. Të pandehurit I.B i është vazhduar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej (1) muaj, respektivisht deri me datë 08.12.2024”, tha Gashi për portalin rtv21.tv

Naser Hafizi, i cili mban pozitën ushtruesit të detyrës së drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ishte arrestuar më 10 tetor 2024 nën dyshimin për “Keqpërdorim të detyrës e autoritetit zyrtar”, “Shpëlarje të parave” dhe “Mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë të të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.

Kujtojmë se, Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh, Izedin Bytyqit- zëvendëssekretar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe armëmbajtje pa leje. /21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button