NATO: Kosova dhe Serbia të zbatojnë plotësisht dhe sa më shpejt marrëveshjen për të cilën u dakorduan

NATO ka mirëpritur pajtueshmërinë mes Kosovës dhe Serbisë mbi aneksin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq kanë zhvilluar takime maratonike më 18 mars në Ohër, në prani të negociatorëve evropianë.

Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu ka thënë se i inkurajojnë palët që të zbatojnë atë për të cilën kanë rënë dakord.

“NATO e mirëpret marrëveshjen në mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në dialogun e lehtësuar nga BE në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. Ne i nxisim të dy të zbatojnë atë që është rënë dakord shpejt dhe plotësisht. Ne jemi të përkushtuar ndaj stabilitetit në Ballkanin Perëndimor përfshirë këtu edhe KFOR-in”, ka shkruar Lungescu në Twitter.

Kujtojmë që, Kosova dhe Serbia janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të planit evropian, i cili do të jetë i obliguar për të dyja palët në momentin e publikimit të tij. Kështu ka thënë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një deklaratë për media, pas dialogut 12 orësh në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kanë arritur pajtim publik me Serbinë për zbatimin e aneksit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, ai ka thënë se Serbia sërsh nuk e ka nënshkruar të njëjtin. Sipas tij, i takon BE-së tani që të gjejë mekanizma për të detyruar Serbinë të firmosë ujdinë./21Media

Back to top button