Ndahen 15 mijë euro për familjen e Sami Thaçit

Nga 10 mijë euro për policët e lënduar

Me një minutë heshtje për policin e rënë në detyrë Sami Thaçin, ka nisur mbledhja e 118-të e Qeverisë së Kosovës.

Në mbledhje është aprovuar kërkesa që 15 mijë euro të ndahen për familjen e policit që vdiq mbrëmë në detyrë Sami Thaçin. Ndërsa janë ndarë nga 10 mijë euro për dy policët e lënduar në aksionin e mbrëmshëm antidrogë në Zhur të Prizrenit, Artur Mrasorin dhe Jetmir Hasanin.

Artur Mrasori është duke u trajtuar në repartin e intensivës në QKUK.  Këtë e konfirmoi për 21Media doktori, Shaqir Uka. Ai tha se polici ka humbur njërin sy, ndërsa syri tjetër është i lënduar, por që siç tha nuk mund të thuhet se ka humbur të pamurit. Ndërsa Jetmir Hasani është duke u trajtuar në spitalin rajonal në Prizren dhe është në gjendje stabile. Ndërsa, në momentin që është pranuar në spital ka marr trajtime kirurgjike pasi ka lëndime në fytyrë, qafë dhe trup./21Media

Back to top button