Ndahet nga jeta sopranoja e njohur shqiptare

Soprano Redrina Kokona është ndarë nga jeta, njofton Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit i Shqipërisë.
Për gati tri dekada karrierë, Redrina ishte një artiste që të frymëzonte me përkushtimin dhe shpirtin e saj operistik, raporton Topchannel.
Ajo e nisi rrugëtimin e saj artistik me një pasion të palëkundur për muzikën klasike dhe një zë që spikati që në hapat e parë kur në vitin 2000 iu bashkua Trupës së Korit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe që atëherë nuk iu nda më skenës, transmeton KosovaPress.
Ishte gjithmonë aty, në çdo koncert, premierë, përgatitje e provë, jo vetëm si pjesë e korit, por edhe si një zë që dallohej në role solistike, me një interpretim plot finesë e ndjeshmëri.
Publiku do ta mbajë mend si Fiordiligi në operën Così fan tutte, Frasquita në Carmen, Kate Pinkerton në Madama Butterfly, Musetta në La Bohème, Anina në La Traviata dhe Una novizia në Suor Angelica.