Ndalimi i punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”, komuna kritikon qeverinë

Punimet e nisura të hënën në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë janë ndaluar nga Inspektorati për Trashëgimi Kulturore në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Ndalohen punimet” shkruan në njoftimin e vendosur në banerin e projektit.
Këtë vendim disa qytetarë po e konsiderojnë si politik, të tjerë e shohin si të duhur këtë ndalim.
Rrahim Krasniqi thotë se nuk është hera e parë që Ministria e Kulturës ndalon projekte të tilla.
Në anën tjetër, Jashar Ismaili mendon se Inspektorati për Trashimi Kulturore ka vepruar mirë duke i ndaluar punimet, sepse sipas tij komuna e Prishtinës ka investuar pa plan për këtë projekt.
Kp ka provuar të marrë përgjigje nga Komuna e Prishtinës lidhur me këtë, por të njëjtit nuk kanë dhënë asnjë informacion, duke thënë se do ta lëshojnë një komunikatë për media.
Por, nënkryetarja e Prishtinës, Jehona Lushaku shkroi në Facebook se “Ministri Hajrullah Çeku dha urdhër për t’i ndaluar punimet në projektin e Sheshit “Xhorxh Bush”në Prishtinë”.
Ajo tha se “ky veprim i ministrit Çeku tregon më së miri se si e kuptojnë pushtetin në VV: pra, si një mundësi për të bllokuar çdo iniciativë dhe projekt të partive të tjera, qoftë edhe nëse me këtë i ndëshkojnë qytetarët e këtij vendi, në këtë rast të kryeqytetit të Kosovës”.