Ndalimi i qarkullimit të dinarit, Szunyog viziton BQK-në

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog është takuar gjatë ditës së martë me Guvernatorin e BQK-së Ahmet Ismaili dhe Zëvendësguvernatorin, Dardan Fusha.
Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga BQK, ku thuhet se Ambasadori i BE-së në Kosovë është informuar për zhvillimet kryesore në sistemin financiar, avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative, si dhe aktivitetet lidhur me qëndrueshmërinë dhe integritetin e sistemit financiar, zbatimin e objektivave dhe Planin e ri Strategjik 2024-2028.
“Me theks të veçantë, u sqaruan aspektet kryesore që trajton Rregullorja e re për Operacionet me Para të Gatshme dhe efektet e saj. Avancimi i kornizës rregullative për kujdesin e duhur dhe luftimin e dukurisë së parave të falsifikuara dhe parandalimi i hyrjes së tyre në sistemin financiar, identifikimi dhe tërheqja e valutave të dyshimta nga qarkullimi, si dhe ndryshimet sa i përket furnizimit të rregulluar dhe transparent të ekonomisë me para të gatshme, përmes institucioneve financiare të licencuara, si në para të gatshme ashtu përmes makinave elektronike për deponime dhe tërheqje te parave, ishin temat kryesore të këtij takimi informues”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
Për këtë ka shkruar edhe Ambasadori Szunyog ku ka thënë se në këtë takim është diskutuar për rregulloren e cila u ndryshua së fundmi që ndalon qarkullimin e “Dinarit” në Kosovë.
“U takova me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili dhe diskutuam Rregulloren e ndryshuar për operacionet me para të gatshme, e cila rregullon edhe procesin e trajtimit dhe tërheqjes nga qarkullimi të kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe valutave të tjera që dyshohet se janë të falsifikuara”, ka shkruar ai në X.
Ndërsa përfaqësuesit e BQK-së sqaruan edhe ndryshimet tjera legjislative dhe faktin se kjo rregullore synon adaptimin e praktikave më të mira të BE-së që lidhen me ngritjen dhe integrimin e valutës Euro.
“Nga përfaqësuesit e BQK-së u sqarua se sikur edhe ndryshimet tjera legjislative edhe kjo Rregullore synon adaptimin e praktikave më të mira të Bashkimit Evropian, që lidhen me ruajtjen e integritetit të valutës Euro dhe sistemit financiar, luftimin ndaj parave të falsifikuara, pastrimit të parave, financimin e terrorizmit, informalitetit, si dhe avancon mbrojtjen dhe edukimin e qytetarëve nga dukuri të tilla të rrezikshme dhe të kundërligjshme”, thuhet tutje në njoftim.
Më tej u sqarua se rregullorja në fjalë nuk kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro në bankat e licencuara dhe as nuk ndalon aktivitetin këmbimor të cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jobankare të licencuara nga BQK, shkruan rtv21.tv.
“Ndërsa u diskuta edhe për mundësine ekzistuese dhe qasjen në financa përmes kanaleve të ndryshime financiare të licencuara për operim në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, shkruan BQK.
Për këtë, BQK-ja u zotua se do të vazhdojë me aktivitete informuese dhe sensibilizuese të përshtatshme dhe efektive për publikun./21Media
Met the Governor of #Kosovo‘s Central Bank, Ahmet Ismaili & discussed the amended regulation on Cash Operations, which also regulates the process of handling and withdrawal from circulation of euro banknotes and coins and other currencies suspected of being counterfeit (1/2). pic.twitter.com/J2iKqM8BX8
— Ambassador Tomáš Szunyog (@EUAmbKS) January 23, 2024