Ndalohen dy të dyshuar për mashtrim e falsifikim të dokumenteve

Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se janë ndaluar personat me inicialet I.L., dhe M.T., (avokat), për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Mashtrimi”, ndërsa e dyshuara I.L., dyshohet se ka kryer po ashtu, veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Sipas njoftimit, personat e lartcekur dyshohet se në mars të vitit 2021, në Graçanicë, pas një marrëveshje p​araprake dhe në bashkëkryerje, me qëllim që vetit t’i sjellin përfitim pasuror në mënyrë të kundërligjshme e kanë vënë në lajthim një të dëmtuar, përmes paraqitjes së fakteve të rreme, ku të njëjtit i kanë siguruar për vajzën e tij një cerifikatë të gjuhës gjermane kinse e lëshuar nga Instituti “Goethe”, e cila pas verifikimit nga Ambasada përkatëse ka rezultuar e falsifikuar, çka me këtë të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm material.
Ndërsa, personi me inicialet I.L., dyshohet se në mars të vitit 2021, në Graçanicë, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme ka përpiluar dokumentin e falsifikuar, respektivisht një certifikatë të gjuhës gjermane, kinse e lëshuar nga Instituti “Goethe”, ku me këtë veprim dyshohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Të dyshuarit ndodhen nën masën e ndalimit prej 48 orësh, derisa ndaj të njëjtëve Prokurori i Shtetit do t’i ndërmerrë veprimet e mëtejme ligjore./21Media

Back to top button