Ndalohen për 48 orë edhe dy të plagosurit në Viti

Prokuroria Themelore në Gjilan të enjten ka bërë të ditur se u ka shqiptuar masën e ndalimit prej 48 orëve edhe dy të plagosurve N.B. dhe A.B. në Fshatin e Ri të Vitisë. Ndalim për 48 orë iu shqiptua edhe të dyshuarit N.H.

I plagosuri N.B. dhe i dyshuari N.H. dyshohen për “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe të pandehurin A.B. për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Dyshohet se gjatë ditës së sotme, më 08 Gusht 2024, rreth orës 10:07 minuta, në Fshatin e Ri, në komunën e Vitisë, të pandehurit N.B. dhe A.B, janë plagosur gjatë të shtënave me armë zjarri, të cilët për shkak të plagëve të marra kanë kërkuar ndihmë mjekësore fillimisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Pozheran, komuna e Vitisë, pastaj janë transferuar në Spitalin Regjional në Gjilan, të cilët për momentin janë jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria Themelore në Gjilan ndaj të pandehurve brenda afatit ligjor “do të kërkojë masën për sigurimin e prezencës së tyre në procedurë penale”.

Back to top button