Ndalohen për 48 orë tre zyrtarët e Komunës së Prishtinës

Tre zyrtarët e Komunës së Prishtinës pas aksionit të zhvilluar nga Krimet Ekonomike të martën janë ndaluar për 48 orë.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kaltrina Shala.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë se pas aksionit të zhvilluar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, prokurori i shtetit ka marrë aktvendim për ndalimin e tre personave, të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 414 i KPRK-së dhe ‘marrja e ryshfetit’ sipas nenit 421 të KPRK-së. Po ashtu janë sekuestruar edhe telefona si prova, të cilat do të shërbejnë në zhvillimin e mëtejmë të procedurës hetimore. Prokurori i shtetit brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë me shkrim në gjykatën kompetente për caktimin e ndonjërës prej masave ndaj të dyshuarve”, tha Shala./21Media

Back to top button