Nderohen viktimat e sulmit në Londër

Një minutë heshtje në Britani

Viktimat e sulmit terrorist që ndodhi të shtunën në Londër, si pasojë e së cilit u vranë shtatë persona dhe u plagosën 48 të tjerë, u nderuan sot me një minutë heshtje në të gjitha qytetet e mëdha të Britanisë.

Policia ka arritur të identifikoi fillimisht dy prej tre sulmuesve, të cilët u vranë nga forcat e rendit pak kohë pasi kryen gjakderdhjen. Dy sulmuesit, të cilët u identifikuan nga policia britanike dhe cilët hynë me kombi në mesin e këmbësorëve janë Kuram Bata dhe Rashid Reduana.

Sipas zyrtarëve të policisë, Bat ishte shtetas i Britanisë, i cili ka lindur në Pakistan, ndërsa Reduan ishte me prejardhje nga Maroku dhe Libia, transmeton rtv21.tv

Bat edhe më herët ka qenë i njohur për policinë, por nuk kishte dëshmi se ai kishte pasur ndonjë plan për të ndërmarrë sulm. Më pas u identifikua edhe sulmuesi i tretë dhe ai është Jusef Zagbi, me prejardhje nga Maroku, i cili ka jetuar në qytetin italian, Bolonjë. Identiteti i tij fillimisht u publikua nga mediat italiane.

Sulmi ndodhi në mbrëmjen mes të shtunës dhe të dielës në qendër të Londrës, kur sulmuesit me kombi filluan të shkelin këmbësorët në London Brixh. Më pas, sulmuesit të armatosur me thika sulmuan kalimtarët  në lagjen Borou.

Pas gjakderdhjes që shkaktuan, sulmuesit u vranë nga pjesëtarët e forcave të rendit. Gjatë këtij sulmi, krahas të vrarëve, u plagosen edhe 48 persona tjerë, 36 prej të cilëve ende po mbahen në spital, me 18 prej tyre në gjendje kritike.

Ndërkohë, policia britanike ka njoftuar se ka liruar që të gjithë 12 personat e arrestuar, të cilët u arrestuan të dielën në mëngjes, nën dyshimin se kanë pasur lidhje me sulmin në Londër.

Ata u liruan dhe kundër tyre nuk do të ngritën padi, njoftuan zyrtarët e policisë. Sulmi në Londër ndodhi vetëm disa ditë para zgjedhjeve parlamentare në Britani, të cilat zhvillohen të enjten.

Back to top button