​Nderohet vepra e atdhetarit të lirisë Ilmi Ramadani

Në nderim të jetës dhe veprës së atdhetarit dhe veprimtarit Ilmi Ramadani, është mbajtur sot në Gjilan një mbledhje komemorative e organizuar nga institucionet komunale dhe shoqatat e dala nga lufta dhe rezistenca kombëtare.

Vepra dhe kontributi i Ilmiut u vlerësua në shërbim të lirisë së Kosovës dhe çështjes kombëtare. Jeta e tij u konsiderua si një testament i gjallë për breza të shumtë të Kosovës.

Kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni tha se atdhetari Ilmi Ramadani ishte pjesë e një gjenerate të artë që nuk pranoi robërinë dhe nuk pranoi as nënshtrimin.

“Lajmi për ndarjen e tij nga jeta na mbushi me pikëllim të thellë sepse bashkë me Ilmiun iku edhe një pjesë e gjallë e historisë sonë të rezistencës. Njëkohësisht kjo ngjarje na ka mbushur edhe me krenari sepse jeta e tij mbetet një testament i gjallë për brezat që do të vijnë dhe do të inspirohen nga veprimtaria e tij. Ilmiu nuk ishte një njeri i zakonshëm, por ishte pjesë e një gjenerate të artë që nuk pranoi robërinë dhe nuk pranoi as nënshtrimin. Ai lindi dhe u rrit në një familje të thellë patriotike dhe u edukua në frymën e dashurisë për atdheun”, tha ai.

Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë në Kosovë, Shefik Sadiku, tha se Ilmiu bashkë me shokët e idealit i dhanë zemër popullit shqiptar për liri dhe pavarësi.

Madje ai përmendi disa raste kur Ilmiu bashkë me veprimtarin tjetër, Rexhep Mala, ndërmerrnin aksione kundër okupatorit.

“Këta shokë i dhanë zemër popullit shqiptar që duhet të përgatiten, arsimohen dhe të bashkohen siç jemi mbledhur edhe sot. Pas shkuarjes së Ilmiut që do të mbetet përjetë e jonë për të gjitha brezat. Ai ishte urëlidhëse e tyre, pasi filluan edhe demonstratat e vitit 1981. Ilmi Ramadani ishte aktiv në ato demonstrata. Pas atyre u izolua për disa muaj ku e vuajti atë ditë dënim… Ilmiu ishte ndër më aktivët. Fjalë pak por punë shumë. Shumë shokë që tregojnë se gjatë historisë që kanë bashkëvepruar me të derisa i kanë bërë planet për të vepruar, Ilmiu bashkë me Rexhep Malën i kanë kryer aksionet”, theksoi Sadiku.

Ndërkaq, komandanti i ish zonës operative të Karadakut të UÇK-së, Ahmet Isufi, tha se Ilmi Ramadani është pjesë e historisë së Kosovës dhe sakrificës kombëtare.

“Sot nuk po japim vetëm lamtumirën e fundit Ilmi Ramadanit, por po përcjellim një njeri i cili në jetën e tij u bë pjesë e një vargu të gjatë të historisë, një hallkë e fortë e sakrificës kombëtare. Që në fëmijëri kur dëgjoja emrin e tij, bashkë me të Rexhep Malën më dukej se po njihja personazhe të një epoke të madhe historike. Më vonë kur më ka rastisur ta takoj dhe bashkëpunoj me të e kuptova se nuk ishin mite dhe legjenda. Ata ishin njerëz të gjallë që jepnin frymëzim dhe ideal të fortë, sa historia do t’i kujtojë përgjithmonë”, shtoi ai.

Deputeti i PDK-së, Ilmi Reçica, tha se përpjekjet e Ilmiut për liri ishin të hershme dhe se ai ishte ndër të parët për çështje kombëtare.

“Ilmiun e njoha në të hershmet vite kur përpjekjet tona për liri po shtriheshin në të gjithë trupin e Kosovës. Ai ishte aty, nga të parët emra, mes rreshtave të parë dhe daltë zotit sy patrembur, bashkë me heronjtë e Kosovës, si Rexhep Mala dhe shumë të tjerë. Bashkëpunoi me të madhin Adem Demaçi, Metush Krasniqi, e deri te Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi. Gati kurdoherë për çdo sakrificë”, tha Reçica.

Telegrame ngushëllimi për Ilmiun dërguan edhe bashkëveprimtarët e Ilmiut, ish-krerët e UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë.

Në mbledhjen komemorative morën pjesë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe qytetarë të shumtë. /kp

Back to top button