Ndëroi jetë mamia Sanije Topanica, asistoi në lindjen e mbi 180 foshnjave në kohë të vështira

Dje ka vdekur Sanije Topanica, mamia e njohur nga Podujeva, e cila ka qenë e njohur edhe për humanizmin e treguar gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Për vdekjen e saj njoftuar familjarët e saj, ndërsa ngushëllime shprehu edhe kryetari i komunës, Shpejtim Bulliqi.
“Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të mamisë llapjane Sanije Topanicës, e cila është e njohur veçanërisht për humanizmin e treguar në kohë lufte duke ndihmuar shumë gra në lindjen e foshnjave. Shtëpia e zonjës Sanije në Podujevë ishte adresë e mijëra grave gjatë viteve 1990-1999. Ajo ishte adresë shpëtimi e grave shtatzëna edhe në kohë lufte duke asistuar në lindjen e mbi 180 foshnjave në ambulanten e fshatit Koliq dhe nën qiellin e hapur të maleve të Gollakut. Me punën dhe përkushtimin e saj, zonja Sanije u bë simbol i humanizmit dhe guximit në kohët më të vështira. Kontributi i jashtëzakonshëm i saj në shpëtimin e jetëve dhe ndihma ndaj grave në kushte të rënda të asaj kohe do të kujtohet e vlerësohet gjithmonë”, ka shkruar Bulliqi.
Sanije Topanica mori pjesë edhe në dokumentarin ”Lindja nuk pyet” me regji të Parata Kelmendit. ”Lindja nuk pyet” u realizua nga RTV21 ku paraqitet ndihma që Sanije Topanica ua dha grave shqiptare shtatëzna gjatë okupimit Serb në qytetin e Podujevës dhe fshatrave përeth.