Ndërpritet seanca për konstituimin e Kuvendit pasi Kurti ftoj në takim partitë politike për konsultim

(Lajm i përditësuar)
Filloi seanca e 38-të për konstituimin e Kuvendit
Ka nisur seanca e 38-të me radhë për konstituimin e Kuvendit.
Kjo seancë është duke u drejtuar nga deputeti më i vjetër në moshë, Avni Dehari dhe deputetja më re në moshë, Sala Jashari. /21Media
Limaj e konfirmon pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga Kurti
Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti i ka ftuar në takim të përbashkët liderët e partive politike pas aktgjykimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese.
Pak para seancës së radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, në lidhje me takimin e thirrur ka folur kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Ai para gazetarëve e konfirmoi pjesëmarrjen e tij në këtë takim.
“Sigurisht që po, është në vazhdën e vizionit tim”, u shpreh Limaj para mediave sot.
Dehari i thërret në “konsultë paraprake” partitë para nisjes së seancës konstituive
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari ftoi partitë politike për një konsultim paraprak para nisjes së seancës konstituive.
“Për shkak të aktgjykimit të Gjykatës politike e shoh të nevojshme të mblidhemi së bashku me përfaqësuesit e partive për një konsultim paraprak”, tha Dehari.
Haradinaj: I domosdoshëm bashkëpunimi mes forcave politike
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se bashkëpunimi mes forcave politike është i domosdoshëm për të arritur deri te konstituimi i Kuvendit.
Haradinaj deklaroi se pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, “janë pjekur kushtet për të kthyer votimin e hapur”.
“Ajo se qfarë vlerësohet tash pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese është që janë pjekur kushtet me u kthy praktika e votës së hapur, janë krijuar këto kushte që Gjykata e ka dhënë spjegimin. Njëkohësisht janë pjekur kushtet edhe për konsulta, për t’u dakorduar për kandidatin pra që kompromisi, bashkëpunimi i ndërsjelltë, përgjegjësia e përbashkët nënkupton edhë një dakordim për kandidaturën në këtë rast”, ka thënë i pari i AAK-së para mediave. /21Media
Haxhiu: Nëse s’i marr së paku 61 vota me votim të fshehtë, tërhiqem nga kandidatura
Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka insistuar në votimin e fshehtë, duke dhënë zotimin se nëse bëhet kjo mënyrë e votimit e ajo nuk merr së paku 61 vota, do të tërhiqet nga kandidatura për kryeparlamentare.
Haxhiu u bëri thirrje partive të tjera të reflektojnë e të marrin pjesë në votim, qoftë duke votuar për ose kundër.
“Me rastin e votimit të fshehtë kur votojnë të gjithë deputetë, siç ka kërkuar edhe Gjykata Kushtuese, nëse unë si kandidate e propozuar nuk i marr së paku 61 vota tërhiqem nga kandidatura për kryetare e Kuvendit”, ka thënë Haxhiu në konferencën për media sot.
Konjufca: Gjykata nuk gjeti shkelje në lidhje me votimin e fshehtë
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i ka hedhur poshtë interpretimet se Gjykata Kushtetuese gjeti se kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari i Vetëvendosjes, e shkeli Kushtetutën duke propozuar votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Duke folur në një konferencë për media në prag të seancës konstituive, Konjufca tha se interpretimi i Vetëvendosjes është se Gjykata Kushtetuese “nuk ka gjetur asnjë shkelje” në votimin e fshehtë.
Ai tha se ata që thonë se Dehari e shkeli Kushtetutën përmes votimit të fshehtë, “janë lexues të dobët” të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Ata ose nuk e kanë lexuar vetë ose e interpretojnë gabimisht, ose interpretojnë me interpretime të të tjerëve”, tha Konjufca. /rel
Konjufca: Aktgjykimi i Kushtetueses na dha të drejtë
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka thënë se akgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit i ka dhënë të drejtë LVV-së.
“Ka të bëjë me interpretimin tonë se si e kemi parë ne si VV aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. VV u përgjigj me faktin se si fituese e zgjedhjeve edhe Kushtetuta i jep të drejtë që të propozojë kryetarin në krye të Kuvendit. Kjo nuk hasi në mirëkuptim të subjekteve opozitare dhe qasja e tyre ishte bllokuese. Ne ndërmorrëm një seri veprimesh të tjera duke i konsideruar si veprime që do t’i ndihmonin konstituimit të Kuvendit, njëra prej të cilave ishte ftesa për kryetarët e subjekteve politike. Aktgjykimi na dha të drejtë, dhe aty një nga pikat më të rëndësishme është se nëse hyhet në bllokadë për të krijuar marrëveshje politike, kjo nuk vlen vetëm për kryetarin e Kuvendit, çka u sqarua edhe një herë. Interpretimi sa i përket kësaj pike, të raportit mes kryetarit dhe nënkryetarëve, është që t’i vendosim të gjithë në një pako dhe t’i votojmë pa u përzier në emrat që ne propozojmë”, tha ai.
Konjufca ka deklaruar se konstituimi i Kuvendit është përgjegjësi e të gjithëve, teksa shtoi se kjo nuk është përgjegjësi vetëm e grupit parlamentar e cila ka dalur e para në zgjedhje.
“Gjykata Kushtetuese, si ne e lexojmë, kjo është vetëm një paralajmërim që nëse hyn në rrugën e bllokimit, gjykata ka thënë se kjo nuk mund të bëhet vetëm për kryetarin. Konstituimi i Kuvendit është përgjegjësi e të gjithëve, jo vetëm e atij grupi parlamentar që ka dalë i pari në zgjedhje. Obligimi është i të gjithëve”, tha Konjufca. /21Media
Dehari: Konstituimi i Kuvendit është përgjegjësi e të gjitha subjekteve parlamentare
Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, ka deklaruar se përgjegjësia për konstituimin e legjislaturës së re u takon të gjitha subjekteve parlamentare, dhe jo vetëm partisë së parë.
Duke komentuar situatën politike pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Dehari tha se procesi duhet të vazhdojë në bazë të rregullave kushtetuese dhe numrave në Kuvend.
“Konstituimi i Kuvendit është përgjegjësi e të gjitha subjekteve parlamentare. Nëse janë numrat, krijohet. Nëse nuk janë, kalon te subjekti tjetër. Nëse prapë nuk gjenden numrat, atëherë shkohet në zgjedhje. Nëse nuk bëhen numrat, natyrisht që kalohet në shumicë tjetër,” tha Dehari.
Deklarata e tij vjen një ditë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila theksoi qartë se konstituimi i Kuvendit është obligim kolektiv i të gjithë deputetëve të zgjedhur në legjislaturën e re.
Sot përpjekja e 38-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës
Deputetët do të mblidhen sërish sot në një përpjekje të re, të 38-ën me radhë, për ta konstituar Kuvendin. Procesi ka ngecur tek zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit.
Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të enjten që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë.
Partitë politike kanë dalë me interpretime të ndryshme rreth këtij vendimi, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Sipas partisë së parë, Vetëvendosjes, obligimi për të pëfunduar konstituimin e Kuvendit është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë.
Po ashtu Vetëvendosje vlerëson se zgjedhja e kryetarit dhe ajo e nënkryetarëve janë në nivel të barabartë.
Sipas interpretimit të Vetëvendosjes votimi i fshehtë nuk paraqet shkelje të Kushtetutës.
Aktgjykimin e Kushtetueses e ka mirëpritur kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili tha “Ky aktgjykim duhet të zbatohet menjëherë. Sa më shpejt, aq më mirë për vendin”.
Krasniqi ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese që obligon deputetët që seanca konstituive të përfundojë brenda 30 ditësh, “i jep fund lojës së Lëvizjes Vetëvendosje për vonesa”.
“E kemi përkrahur me ekspertizë dhe jemi bashkuar me iniciativën e AAK-së për sqarim kushtetues, sepse besojmë fuqishëm se demokracia mbrohet përmes ligjshmërisë dhe transparencës. Na vjen mirë që Gjykata Kushtetuese i dha fund kësaj loje të qëllimshme vonesash nga koalicioni VV-Guxo-Alternativa, duke e bërë të qartë se ata nuk kanë të drejtë ta bllokojnë procesin dhe se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve.”, tha Krasniqi.
Në një reagim, Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga kryesuesi i seancës konstituive që të respektojë dispozitat kushtetuese dhe rregulloren e punës së Kuvendit, duke iu rikthyer skenarit të dakorduar për zhvillimin e seancës dhe për të proceduar me votim të hapur.
“Po ashtu, siç e përcakton neni 187 i aktgjykimit, kryesuesi i seancës konstituive duhet të respektojë dispozitat kushtetuese, Kapitullin IV të Rregullores së Punës së Kuvendit dhe praktikat e deritashme parlamentare, si dhe t’i kthehet skenarit të dakorduar të seancës konstituive për të proceduar me votim të hapur”, vijon reagimi i tyre.
E Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, iu ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi konstituimin e Kuvendit.
Derisa përmendi vendimin që thotë se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve, Haradinaj ka thënë se Kushtetuesja ka krijuar bazë ligjore “për të dalë nga ngërçi i krijuar”.
“Në një situatë të një bllokade totale të krijimit të institucioneve të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe konstituimin e Kuvendit, një rast i padëgjuar ky për botën demokratike, kemi kërkuar rrugëdalje në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Nuk e kemi bërë për interesa partiake, por për interes të vendit dhe të zbatimit të vullnetit të shprehur me votë në zgjedhjet parlamentare të shkurtit të vitit 2025. Këtë kërkesë tonën nuk e kemi shndërruar në çështje e as në kauzë politike”, ka thënë Haradinaj.
Ai shtoi se vendimi i Kushtetueses është lehtësues.
Seanca e sotme pritet të nisë në ora 11:00.