Ndërron jetë në QKUK i dyshuari për plagosjen në Ferizaj, kishte qëlluar të dashurën dhe më pas veten


Ndërron jetë në QKUK i dyshuari për plagosjen në Ferizaj, kishte qëlluar të dashurën dhe më pas veten

Ka ndërruar jetë gjatë trajtimit mjekësor në QKUK i dyshuari V.K për plagosjet me armë zjarri mbrëmë në Ferizaj.

Sipas policisë, ai kishte shtënë fillimisht në drejtim të së dashurës së tij e më pas kishte qëlluar veten.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

“Lidhur me rastin e datës 10.04.2026 në Ferizaj, ku mbetën të plagosur dy persona, ju njoftojmë si në vijim: Më 10.04.2026, rreth orës 22:00, është raportuar rasti ku kanë mbetur të plagosur dy persona: L. U. (24-vjeçare), femër, kosovare, dhe V. K. (32-vjeçar), mashkull, kosovar. Viktima e rastit, L. U., pasi ka pranuar ndihmën e parë në Emergjencën e Ferizajt, është dërguar për trajtim të mëtejshëm mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ku ndodhet ende nën përkujdesjen e mjekëve. Ndërsa personi V. K., i cili në këtë rast ishte në cilësinë e të dyshuarit dhe po trajtohej në QKUK në Prishtinë, si pasojë e lëndimeve të marra, më 11.04.2026, rreth orës 04:05, sipas informatës së pranuar nga QKUK në Prishtinë, ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë për obduksion. Rasti fillimisht është cilësuar si “Vrasje e mbetur në tentativë”, ndërsa pas rrethanave të reja, mbetet në kompetencë të prokurorit për cilësimin e mëtejshëm ligjor”, thuhet në konfirmim.


Policia jep detaje për rastin në Ferizaj: Plagosi të dashurën dhe më pas veten, po trajtohen në QKUK

Një person mbrëmë në Ferizaj ka shtënë me armë zjarrit drejt të dashurës së tij dhe më pas ka qëlluar edhe veten, ka njoftuar policia.

Sipas raportit 24 orësh të policisë thuhet se të dy të lënduarit janë dërguar në QKUK në Prishtinë, derisa u shtua se ka gjetur dhe sekuestruar armën.

“Ferizaj 10.04.2026, 21:58. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar, ka shtënë me armë zjarri drejt të dashurës së tij dhe më pas e qëllon veten. Të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK, Prishtinë. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri me një  karikator gjashtë fishekë dhe tri gëzhojat e armës së përdorur. Rasti nën hetime”.

Policia tha se rastin e ka cilësuar si “vrasje në tentativë”

Back to top button