Ndërron jetë një punëtor i KEK-ut pas një incidenti në Termocentralin Kosova B

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se ka vdekur një punonjës i kësaj ndërmarrje, në një incident i rëndë në Termocentralin Kosova B, ku është përfshirë një mjet transportues kamion.
Viktima është një 55-vjeçar.
Në vendngjarje ka dalë Policia dhe ekipet mjekësore që kanë konfirmuar vdekjen e tij.
“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.), njofton me keqardhje të thellë se sot, në Termocentralin “Kosova B”, ka ndodhur një incident i rëndë, ku është përfshirë një mjet transportues kamion dhe një punonjës. Si pasojë e këtij incidenti, një punonjës mashkull kosovar 55 vjeçar ka pësuar lëndime të rënda. Në vend ngjarje menjëherë kanë dalur zyrtarët e KEK-ut, Policia e Kosovës dhe ekipet mjekësore, të cilat kanë konfirmuar se viktima ka ndërruar jetë. KEK sh.a. shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit, si dhe kolegëve e të gjithë bashkëpunëtorëve të tij. Autoritetet përkatëse janë duke trajtuar rastin në përputhje me procedurat ligjore”, thuhet në njoftim.