Ndërron jetë Prof. Dr. Haki Dushi

Me dhimbje dhe pikëllim të thellë njoftojmë opinionin e gjerë, institucionet arsimore të Kosovës se më 15 janar 2026, ka ndërruar jetë Prof. Dr. Haki Dushi, profesor ordinar në Fakultetin Ekonomik.

Profesor Haki Dushi u lind në Gjakovë në vitin 1930. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme ekonomike e mbaroi në Pejë. Studioi në Fakultetin Ekonomik në Beograd. Magjistroi dhe doktoroi pranë Universitetit të Zagrebit.

Në vitin 1978, pranë Universitetit të Prishtinës, e mbrojti disertacionin për titullin e lartë “Doktor i Shkencave Ekonomike”. Ishte ekonomisti i parë i diplomuar në komunën e Gjakovës.
Pas fakultetit punoi në disa ndërmarrje shoqërore, udhëhoqi BANKKOS-in, dega në Gjakovë, si dhe Shërbimin e Kontabilitetit Shoqëror (SHKSH) për disa vite.

Prej vitit 1971 ligjëroi lendën e Kontabilitetit I dhe II në Fakultetin Ekonomik, ku njëherësh ushtroi detyrën e Dekanit prej vitit 1979–1981.
Krahas kësaj, ushtroi edhe funksione të ndryshme në BANKKOS si dhe në SHKSH në Prishtinë.

Me themelimin e Universitetit të Tetovës, ligjëroi po ashtu lendën Kontabiliteti I dhe ushtroi detyrën e Dekanit.
Pas pensionimit, udhëhoqi për disa vite Kolegjin Globus.

Në respekt të jetës dhe veprës së Profesor Haki Dushit, më datë 17 janar (e shtunë), në Prishtinë do të mbahet mbledhje komemorative në Fakultetin Ekonomik nga ora 09:30. Pastaj kortezhi niset për në Gjakovë, ku në Varrezat e Qytetit do të bëhet mbledhje komemorative dhe homazhe në orën 14:00 dhe varrimi në orën 15:00.

Back to top button