Ndihmohen 150 familje me dru për ngrohje në Ferizaj
U ndihmuan edhe familjet e komuniteteve
Rreth 150 familjeve me gjendje të rëndë ekonomike iu janë siguruar dru për ngrohje. Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë e Ferizajt, paraditen e sotme ka shpërndarë dru për 150 familje. Burim Bajrami, drejtor i Bujqësisë dhe Pylltarisë, tha se nisma të tilla po bëhen me qëllim të ofrimit të ndihmës sadopak për qytetarët, nga sasia e drurëve të konfiskuar gjatë vitit 2019.
“Sot po bëjmë shpërndarjen e masës drusore për 150 familje ferizajase. Sipas proporcionit nga sasia totale këto familje përfitojnë nga dy metër masë drusore hapësinore. Këtë proces e kemi verifikuar dhe konstatuar përmes Komisionit Komunal përkatës për këtë çështje, ku janë konsultuar edhe institucionet e kujdesit social, si dhe në bazë të kërkesave të qytetarëve”, tha Bajrami.
Përmes këtij aksioni janë ndihmuar përveç familjeve me gjendje të rëndë ekonomike edhe komuniteti rom, ashkali, egjiptas e serbë, strehimorja “Shtëpia ime” dhe Bashkësia Islame e Kosovës në Ferizaj.