Ndihmon minoritetet, shpërblehet nga Theresa May

Çmimi është në emër të kryeministres britanike Theresa May

Themeluesja e organizatës për ndihmë vullnetare “The Ideas of Partnership”, Elizabeth Growing ka marrë sot çmimin “Points of Light”.

Ky çmim , asaj i është ndarë nga ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, për nder të punës së jashtëzakonshme vullnetare që ajo ka bërë në Kosovë.

Çmimi, i cili ndahet në emër të kryeministres britanike Theresa May, është një shenjë falënderimi për të gjithë vullnetarët të cilët veprojnë në kuadër të organizatës “The Ideas Partnership” dhe ndihmojnë në zhvillimin, edukimin dhe mbështetjen e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas në Kosovë.

Fituesja e këtij çmimi Elizabeth Growing tha se ky çmim i takon jo vetëm asaj, por të gjithë ekipit dhe më shumë se 100 vullnetarëve që punojnë në këtë organizatë.

“Kemi edhe të huaj si unë, ata të komunitetit shumicë në Kosovë, por gjithashtu edhe ata të komunitetit rom, ashkali, egjiptas, që punojnë shumë në këtë qendër dhe qendrat tona të tjera”, tha ajo në një ceremoni të organizuar në selinë e “The Ideas Partnership” që gjendet në Fushë Kosovë.

Ndërsa, ambasadori britanik Ruairi O’Connell, u shpreh se çdo qytetar me punë vullnetare mund të ndryshojë shoqërinë në përgjithësi.

“Puna që e keni bërë është e mrekullueshme, jo vetëm për efektin që ka pasur në komunitet, por më shumë për fuqizimin e njerëzve me idenë që çdo njeri, çdo qytetar, me punën e tij ose të saj vullnetare mund të ndryshojë shoqërinë në përgjithësi… Që çdo njeri ka një fuqi të papërshkrueshme që veç me idenë, me punën me vendosmërinë e tyre mund të ndryshojmë kulturën, shoqërinë, mund t’i japin shpresë një gjenerate të re”, tha O’Conell.

Organizata “The Ideas Partnership” do të vazhdojë edhe më tej në Kosovë me aktivitete vullnetare me qëllim të përmirësimit të gjendjes së shoqërisë.

Back to top button