“Në aspektin e sigurisë ka kushte për hapjen e Urës së Ibrit”

Njohës të çështjeve të sigurisë vlerësojnë se aktualisht ka kushte për hapjen e Urës së Ibrit sa i përket aspektit të sigurisë. Por, megjithatë shtrojnë nevojën që hapja e urës të bëhet në koordinim me faktorin ndërkombëtar në mënyrë që të shmangen tensionet eventuale.
Ura e Ibrit vazhdon të jetë një simbol ndarës i qytetit të Mitrovicës, mes shqetësimit ndërkombëtar që hapja e saj, tani, do të shkaktonte tensione dhe insistimit të Qeverisë së Kosovës se liria e lëvizjes duhet të sigurohet në të gjithë territorin e vendit. Eksperti i çështjeve të Sigurisë, Nuredin Ibishi, vlerëson se në aspektin e sigurisë nuk ka arsye që ura të jetë e mbyllur, por, megjithatë nuk përjashton mundësinë e tensioneve në rast se hapja e saj nuk bëhet në koordinim me faktorin ndërkombëtar.
“Gjendja e sigurisë në Kosovës është e qetë stabile, kushtet sa I përket sigurisë janë stabile, situata është e qete janë parakushtet për një mundësi të tillë por dikë. Tensionet mund të jenë të mundshme…..Janë pjekur kushtet por duhet një dakordim me faktorin ndërkombëtar pasi kemi reagime edhe të SHBA-së dhe BE-së”, tha Ibishi për rtv21.
Edhe eksperti tjetër i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava, vlerëson se aktualisht ka kushte për hapjen e Urës së Ibrit por sipas tij, në këtë rast duhet të dëgjohen ndërkombëtarët.
“Kushtet për hapjen e urës kanë qenë të plotësuara qysh ë 2016 por është faktori politik ndërkombëtar që po ndërhynë dhe po kërkojnë që të mos hapet ende. Më e qëlluara dhe më e mira kishte me qenë që ura të hapet. Nesër Qeveria e hapë krye vete mund të ketë tensione,..duhet t’i dëgjojmë ndërkombëtarët”, tha Tërnava për rtv21.
Qeveria e Kosovës ka thënë se hapja e Urës së Ibrit nuk është kundër askujt por një veprim i mirë dhe një e drejtë e Kosovës. Autoritetet në Serbi ndërkaq kanë krijuar narrativen se Qeveria e Kosovës më hapjen e Urës së Ibrit po synon të nxis konflikt ndëretnik.
“Këto narrative të krijuara nga këta zyrtarë mund të nxisin frikësim të qytetarëve serbë që jetojnë në atë pjesë sepse burimi kryesori informacioni për ta mbetën zyrtarët në Serbi si dhe mediat në gjuhën serbe që sipas raporteve ndërkombëtare del që janë të afërta me pushtetin atje”, tha Festim Rizanaj, hulumtues në Hibrid.info
Serbët lokalë kanë shprehur frikë për sigurinë e tyre nëse hapet ura e Ibrit, por në debatin e organizuar nga Komuna e Mitrovicës së Veriut dhe Qeveria e Kosovës, institucionet kanë garantuar siguri për te gjithë qytetarët./RTV21/21Media