Në dalje të Kosovës, shtetasi kroat kapet me 20 pako me heroinë

Njësia e antidrogës gjatë një kontrolli në një veturë me targa të huaja në Merdare ka gjetur mbi 10 kilogramë drogë e destinuar drejt vendeve të BE-së, në vlerë deri në 250.000 euro. Me këtë rast është arrestuar një shqiptar i Kosovës me nënshtetësi kosovare-kroate, ndërsa droga është konfiskuar.
Drejtori i Antidrogës në Policinë e Kosovës Major Reshat Murseli në një konferencë për media, ka dhënë detaje nga operacioni i koduar Pika2, i cili është zhvilluar në koordinim me Prokurorinë themelore – Departamentin për krime të rënda në Prishtinë.
Murseli ka bërë të ditur se vlera e drogës së sekuestruar kap shifrën në tregun e zi rreth 200-250 mijë euro, teksa destinacioni ishte për tregjet e BE-së. Ai tha se në cilësinë e provave janë konfiskuar edhe para, dy telefona celularë dhe sekuestruar vetura e të dyshuarit, i cili është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe se ndaj tij, pas intervistimit, pritet të caktohet masa e ndalimit 48 orë.