Në ditën kur u vra 48 vjeçarja në Llaushë, 5 gra të tjera përjetuan dhunë familjare

Dita e pestë e vitit 2022 do të mbahet mend gjatë, në veçanti nga bashkëfshatarët e 48 vjeçares nga Llausha e Skenderajt, e cila është vrarë nga bashkëshorti.
Në po këtë ditë, pesë gra të tjera, dy prindër e një vëlla përjetuan dhunë familjare.
Policia e Kosovës ka njoftuar se rasti i parë i dhunës në familje është raportuar në Vushtrri, ku është arrestuar i dyshuari i cili pas një mosmarrëveshje e kishte sulmuar fizikisht nënën e tij. Si pasoj e sulmit viktima ka pranuar tretman mjekësor, kurse i dyshuari pas intervistimit në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërsa në Prishtinë, rreth orës 08:30, një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshje në shtëpi ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti dhe vjehrra e saj. Si pasoj viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe pas intervistimit me tre fëmijët e saj për shkaqe sigurie, me pëlqimin e saj, është dërguar në strehimore, shkruan rtv21.tv
I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, kurse e dyshuara nëna e tij është liruar në procedurë të rregullt.
Më pas në orën 13:00, po ashtu në Prishtinë, është arrestuar një person për shkak të dyshimit se e kishte fyer dhe më pas kanosur ish bashkëshorten e tij. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Pas rreth dy orëve, një grua nga Podujeva ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti i pestë i dhunës në familje është raportuar në Suharekë, rreth orës 20:55.  Një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj me të cilin është ndarë, përmes telefonit i ka dërguar mesazhe kërcënuese. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Policia ka arrestuar edhe një person në Fushë Kosovë rreth orës 21:00. I dyshuari pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar fizikisht babain dhe vëllain e tij. Pas intervistimit me vendim të prokurorit ai është dërguar në mbajtje.
Rasti i shtatë i dhunës në familje është raportuar në Suharekë, rreth orës 22:25. Viktima ka raportuar se është kanosur nga bashkëshorti i saj. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Të mërkurën po ashtu, Policia ka arrestuar një person në Prizren, i cili dyshohet se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij më datë 04.01.2022. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje./21Media

Back to top button