Në katër komunat veriore votuan 1567 qytetarë

(Lajm i përditësuar)
Në zgjedhjet e sotme në katër komunat veriore kanë votuar 1557 qytetarë nga gjithsej 45 mijë qytetarë me të drejtë vote. Kjo u bë e ditur në konferencën e Komisionit Qendror Zgjedhor.
Në prezantimin e të dhënave, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tregoi në detaje numrin e votuese për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Ai tha se i tërë procesi zgjedhor gjatë të dielës është zhvilluar pa ndonjë problem.
“Procesi zgjedhor është zhvilluar pa ndonjë problem. Të gjitha qendrat e votimit ku është zhvilluar procesi i votimit janë mbyllur. Aktualisht anëtarët e këshillave në këto qendra janë duke bërë numrin e fletëvotimeve. Ju njoftojmë se në ditën e sotme numri i qytetarëve që kanë votuar është si në vijim: Në Leposaviq kemi 141 votues, apo 1.06 për qind, në Zubin Potok kemi 385 votues apo 5.78 për qind, në Zveçan kemi 204 votues apo 2.92 për qind, në Mitrovicën e Veriut 837 votues apo 4.62 për qind”, tha ai.
Derisa ka potencuar se KQZ-ja ka ofruar mundësinë dhe kushtet për secilin qytetarë me të drejtë vote që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të zgjedhur përfaqësuesin e tyre.
“Dua të përsërisë se KQZ-ja ka ofruar mundësinë dhe kushtet për të gjithë qytetarët me të drejtë vote në këto komuna që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre dhe institucionet demokratike”, shtoi ai.
Krahas kësaj, ai bëri të ditur se rezultatet preliminare do të dalin gjatë orëve në vijim.
Mbyllen vendvotimet në veri
Në katër komunat në veri të Kosovës kanë nisur të mbyllen qendrat e votimit për zgjedhjet e parakohshme lokale.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që rreth orës 19:30 të dalë me të dhënat zyrtare për pjesëmarrje në votim. Procesi është përcjellë me dalje të ulët të votuesve.
Në Zveçan dhe Leposaviq qytetarët u votua po ashtu për të zgjedhur përbërjet e reja të asambleve komunale.
Autoritetet nuk kanë raportuar për ndonjë pengim të procesit zgjedhor.
1 mijë e 92 votues në veri deri në orën 15:00
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve-KQZ, Valmir Elezi bëri të ditur se deri në orën 15:00 votuan mbi 1092 qytetarë në katër komunat në veri të Kosovës.
Elezi deklaroi se procesi i votimit deri tani ka shkuar në rregull dhe se nuk kanë hasur në ndonjë pengesë.
Zëdhënësi i KQZ-së tregoi për përqindjen e pjesëmarrësve të qytetarëve deri në orën 15:00.
“Ju njoftojmë se deri në orën 15:00, sipas të dhënave që kemi nga komisionet komunale të zgjedhjeve nga terreni, pjesëmarrja në zgjedhje është, në Komunën e Leposaviqit, numri i qytetareve që kanë votuar është 110 votues apo 0.83 për qind, në Zubin Potok janë 240 votues apo 3.6 për qind, në Komunen e Zveçanit, 145 votues apo 2.07 për qind dhe në Mitrovicën e Veriut 597 apo 3.3 për qind”, tha Elezi.
Zgjedhjet në veri, deri në orën 15:00 dalja rreth 2.4%
Pjesëmarrja në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore vijon të jetë e vogël.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi tha se “procesi zgjedhor është duke vijuar në rregull” dhe se nuk është paraqitur ndonjë pengesë.
Deri në orën 15:00, në Leposaviq ka pasur 110 votues, apo 0.83%. Në Zubin Potok kanë votuar 240 votues apo 3.6%. Në Zveçan kanë votuar 145 votues, apo 2.07% dhe në Mitrovicën e Veriut 597 votues apo 3.3%.
Institucionet e vendit u kanë bërë thirrje qytetarëve në veri që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.
313 votues në veri deri në orën 11:00
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ)ka njoftuar se deri më tani procesi zgjedhor është duke shkuar në rregull dhe pa ndonjë pengesë. Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi, njoftoi se sipas të dhënave nga terreni në Leposaviq kanë dalë 28 votues apo 0.21%, në Zubin Potok 65 apo 1%, në Zveçan 29 votues apo 0.41, në Mitrovicën e Veriut 191 votues apo 1.05%.
Elezi iu bëri thirrje qytetarëve me të drejtë vote që të votojnë, derisa bëri të ditur që në orën 15:30 do të jetë konferenca e radhës e KQZ-së, ku do të bëhet e ditur pjesëmarrja në votim deri në orën 15:00 dhe ecuria e procesit.
Radoniqi: Procesi i votimit po shkon mbarë, siguria në nivel
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha se procesi i votimit në komunat veriore po shkon mbarë dhe siguria është në nivel. Ai deklaroi para mediave nga Lagjja e Boshnjakëve se KQZ-ja i ka ndërmarrë të gjitha masat e mbajtjes së zgjedhjeve, ndërsa iu bëri thirrje qytetarëve që të votojnë.
“Procesi po shkon në rregull, s’ka ndonjë problem. Gjithashtu dua t’i ftojë qytetarët e komunave veriore që të dalin në zgjedhje në mënyrë që të ushtrojnë të drejtën e tyre për votë dhe t’i zgjedhin përfaqësuesit dhe të ndërtojnë institucione legale. Ne si KQZ, siç kam deklaruar, i kemi ndërmarrë të gjitha masat që ky proces të shkojë në rregull”, tha ai.
Sipas Radoniqit, ende s’dihet numri i votuesve që kanë dalë në zgjedhje, derisa shtoi se në këtë qendër të Lagjen e Boshnjakëve kanë votuar 60 persona.
KQZ: Janë hapur të gjitha qendrat e votimeve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) konfirmoi se është bërë shpërndarja e materialeve zgjedhore nëpër të gjitha qendrat e votimit në katër komunat e veriut ku po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok dhe zgjedhjeve të parakohshme për kuvendet komunale të dy komunave Zveçan dhe Leposaviq.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, deklaroi se të gjitha qendrat e votimit janë hapur në kohë.
“Deri në këto momente që po flasim, është ora 08:00, sipas planifikimeve, ju njoftoj se është bërë shpërndarja e materialeve zgjedhor ku bën pjesë edhe fletëvotimet, natyrisht sikurse çdo herë dhe sipas procedurave, shpërndarja e materialeve është bërë në bashkëpunim dhe përcjelljen e Policisë së Kosovës. Sipas informacioneve që i kemi pranuar nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna ku sot do të zhvillohet procesi zgjedhor janë hapur në kohë të gjitha qendrat e votimit në këto komuna”, deklaroi Elezi.
Gjithsej janë 19 qendra votimi në këto katër komuna veriore që do të presin qytetarët me të drejtë vote gjatë ditës së sotme për të hedhur votën e tyre. Gjashtë prej tyre janë të rregullta ndërkaq 13 qendrat e tjera janë alternative, ose kontejnerë.
Elezi konfirmoi se mediat janë të lejuara që të filmojnë në të gjitha qendrat e votimit, ndërsa tha se do të kujdesen që të njëjtat të mos pengohen në punën e tyre.
Zgjedhjet në veri, KQZ do të mbajë katër konferenca gjatë ditës
Katër konferenca do të mbahen gjatë ditës së sotme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me rastin e zgjedhjeve në komunat në veri të vendit.
Në orën 08:00, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mban konferencën e parë në lidhje me hapjen e qendrave të votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok; si dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvendet e komunave Zveçan dhe Leposaviq.
Në orën 11:30, mbahet konferenca e dytë për medie e KQZ-së në lidhje me pjesëmarrjen në votime deri në orën 11:00 dhe ecurinë e procesit zgjedhor.
Në orën 15:30, mbahet konferenca e tretë e KQZ-së lidhur me pjesëmarrjen në votime deri në orën 15:00 dhe ecurinë e procesit zgjedhor dhe e fundit konferencë, mbahet në orën 19:30, lidhur me pjesëmarrja në votime deri në orën 19:00 dhe mbylljen e vendvotimeve.
E diela e 23 prillit është data kur do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.