Në mbrojtje të shtëpive, banorët qëllojnë me gurë, Policia me gaz lotsjellës

Situata te “5 Maji” është tensionuar teksa pritet shembja e 12 banesave. IKMT ka filluar shembjen e shtëpisë së parë, ndërsa banorët e revoltuar kanë filluar të qëllojnë me gurë drejt efektivëve të policisë të cilët rrethuan zonën që në orët e para të mëngjesit.
Si kundërpërgjigje ndaj banorëve, policia ka hedhur gaz lotsjellës për t’i ndaluar.
Megjithatë, policia përmes “Facebook-ut” ka raportuar se tre zyrtarë janë lënduar.

“Sot në orët e para të mëngjesit, në zbatim të vendimit për shembjen e disa banesave në rrugën “5 Maji”, gjatë rezistencës së banorëve, janë dëmtuar në detyrë 5 punonjëse të Policisë së Shtetit dhe 3 punonjës të Policisë Bashkiake. Ata kanë marrë dëmtime nga sende të forta dhe lëndë djegëse dhe ndodhen në Spitalin e Traumës, duke marrë ndihmën mjekësore”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.
Policia e Tiranës ka shoqëruar disa persona në Komisariat dhe cilido që ka ushtruar dhunë ndaj punonjësve të Policisë, do përballet me ligjin.

Sot janë parashikuar të shemben 12 banesa, 7 prej të cilave janë me dokumente pronësie./21Media

Back to top button