Në muajin mars merret vendimi për shtrenjtim të rrymës!

Zyra e Rregullatorit për Energji në një përgjigje për rtv21 tha se procesi i shqyrtimit të tarifave të energjisë elektrike zhvillohet në disa faza. ZRRE tha se në fillim vit do të pranojë aplikimet për të hyrat e lejuara nga furnizuesit e licencuar për energji elektrike, ndërsa pas shqyrtimit të tyre në muajin mars do të vendosë për zbatimin e tarifave të reja.

“ZRRE ju informon se procesi i shqyrtimit të tarifave të energjisë elektrike zhvillohet në disa faza rregullative. Aplikimet për të hyrat e lejuara nga operatorët dhe furnizuesit e licencuar pritet të dorëzohen gjatë javës së tretë të muajit janar 2026, pas së cilës ZRRE do të bëjë shqyrtimin rregullativ. Vendimi përfundimtar për tarifat pritet gjatë muajit mars 2026, ndërsa zbatimi i tarifave të reja, do të fillojë nga muaji prill 2026, në përputhje me kornizën ligjore në fuqi.”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së për rtv21

ZRRE në prill të këtij viti vendosi për shtrenjtimin e energjisë elektrike për 16.1%, për të gjithë konsumatorët. Aktualisht konsumatorët që shpenzojnë energji elektrike deri në 800 kilovat brenda një muaji paguajnë 9.05 centë për kilovat nga 7.79 centë sa ishte vitin e kaluar. Ndërkohë, ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë brenda një muaji, paguajnë 15.43 centë për kilovat nga 13.29 centë sa ishte vitin e kaluar. Ndonëse ende nuk dihet se sa do të shtrenjtohet energjia elektrike, më mënyrën se si po menaxhohet situata me energjie elektrike në Kosovë, një gjë e tillë është e pashmangshme të ndodhë thotë njohësi i çështjeve të energjisë, Adhurim Haxhimusa.

“ Në një formë apo tjetër tarifat do të shtrenjtohen, qoftë në fatura të qytetarëve qoftë përmes buxhetit të shtetit, që i bie prap qytetarët ta paguajnë. Por, e rëndësishme është që ky shtrenjtim duhet të përdorët për forcimin e kapaciteteve të brendshme të Kosovës dhe jo të rriten tarifat që t’i financojmë burimet jashtë kufijve të Kosovës…”, tha Haxhimusa për rtv21

Kosova në 5 vitet e fundit vlerësohet se ka importuar mbi 800 milionë euro energji elektrike. Ndërkaq, në jo pak raste u tha se është paguar një kosto jashtëzakonisht e lartë edhe për transportin e energjisë. Në këtë këtë situatë, një shtrenjtim tjetër i energjisë elektrike që do të ishte i katërti me radhë gjatë qeverisjes së LVV-së do të ishte goditje e rëndë për qytetarët në Kosovë, thotë Kushtrim Ahmeti nga dhoma e tregtisë

“Kjo ka me shkaktu telashe të mëdha ka me rrit koston e prodhimit, në një kohë kur kemi rritje të vazhdueshme të çmimeve ulje në masë të madhe të qarkullimi të bizneseve vendore…”, tha Ahmeti.

Pavarësisht se qytetarët në Kosovë po pranojnë fatura më të shtrenjta të energjisë elektrike, ditëve të fundit janë duke u ballafaquar edhe me reduktime të paparalajmëruar si shkak i rritjes së konsumit dhe mungesës së kapaciteteve të shpërndarjes. Ndërkaq, nxjerrja në tregun e hapur energjetik të mbi 1300 bizneseve nuk ndikoi që qytetarët të kenë furnizim të rregullt me energji elektrike./RTV21/21Media

Back to top button