Në mungesë të kushteve e diskriminim nga federata, notarja Hana Beiqi flet për synimet e saj në Lojërat Olimpike

Me ftesë të universalitetit nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, notarja Hana Beiqi ka fituar të drejtën që ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpikë në Paris.

Ajo thotë se ky është një rast i mirë për të dëshmuar aftësitë e saj në një garë kaq të rëndësishme, pasi që ka mungesë të kushteve elementarë që kualifikimi të arrihej përmes normës olimpike.

“Siç po e shohim ne nuk jemi as afër normës olimpike për shkak mund të themi edhe kushteve që nuk i kemi, pra as pishinë olimpike nuk kemi, ne ushtrojmë këtu në pishinë gjysmë olimpike, do të thotë pa i plotësuar të gjithë kushtet. Por, me rëndësi kemi arritur rezultatet unë dhe Adelli ta përfaqësojmë Kosovën, shpresojmë që ta çojmë në nivelin sa më të lartë, ta japin maksimumin tonë, shpresojmë që pas katër viteve në Amerikë të kemi një normë dhe të jemi afër medaljeve”, tha Beiqi.

Ajo thotë se në olimpiadë shkon me qëllimin për ta thyer rekordin personal dhe për të hyrë në histori të Kosovës në sportin e notit.

“Unë për momentin e kam synim që ta rregulloj kohën time dhe t’i arrijë nëse mundem mbi 700 pikë, pra të bëhem sërish femra e parë në histori të Kosovës që i arrin mbi 700 pikë në dy disiplina. Kryesisht do të shkoj me mentalitetin duke menduar për veten, për rezultatin tim, sidomos që jam edhe më e reja e të gjithë ekipit olimpik të Kosovës dhe shpresoj që pas katër viteve të kem edhe normë dhe të jem afër medaljeve”, theksoi më tutje Beiqi.

Beiqi bën të ditur se është diskriminuar jashtëzakonisht shumë nga Federata e Notit të Kosovës, e cila nuk e lejoi të merrte pjesë në dy kampionate botërore dhe kjo e bëri që ta mendonte largimin nga sporti i notit.

“Në fillim të vitit ishte dilema se a do të shkoj apo jo, pasi që jam diskriminuar nga federata dhe pasi që nuk më është mundësuar të marrë pjesë në dy kampionate botërore të cilat ishin posaçërisht kualifikuese për Lojërat Olimpike, ishte një zonë shumë e errët për mua, isha në dilemë se a mund të shkoj në olimpiadë apo jo, isha në dilemë a ta lë notin krejt, a ia vlen të vazhdojë të notojë me këta njerëz kështu, por me rëndësi nuk u dorëzova, çdo stërvitje e lodhur, pa motiv, por gjithçka ia ka vlejtur”, tregon më tutje notarja kosovare.

Ajo nuk e fsheh aspak ndjenjën e krenarisë që në Paris, do të jetë në mesin e vajzave që kanë fituar medalje olimpike.

“Ndjehem shumë krenare të jem në mesin e medalisteve olimpike, po ashtu edhe vajzave që kanë normë. Shpresoj që një ditë të jem edhe unë sikur ato, ndjehem krenare që ta kem mbështetjen e sportisteve të mëdha”, tha në fund Beiqi.

Përveç Hana Beiqit, në sportin e notit në Paris Kosova do të përfaqësohet edhe nga notari, Adell Saboviq.

Back to top button