Në shkollat e Prishtinës përkujtohet Ibrahim Rugova

Nesër bëhen 20 vjet nga vdekja e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, simbol i rezistencës paqësore, vizionit politik dhe shtetndërtimit të vendit.
Me këtë rast, Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës ka njoftuar se nesër, gjatë orës së parë të mësimit, në të gjitha shkollat e Kryeqytetit do të zhvillohen aktivitete përkujtimore kushtuar jetës dhe veprës së Presidentit Rugova. Nxënësit do të informohen për rolin dhe kontributin e tij historik në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.
Drejtori për Arsim në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini, ka theksuar se ky përkujtim ka rëndësi të veçantë për edukimin e brezave të rinj.
“Njohja e nxënësve me jetën dhe veprën e Presidentit historik Ibrahim Rugova është pjesë e edukimit qytetar dhe e kujtesës sonë kolektive. Është detyrim institucional dhe moral që vlerat e paqes, vizionit dhe shtetndërtimit që ai përfaqësonte të transmetohen te brezat e rinj,” ka deklaruar Shahini.