Në Shtime 28 Nëntori festohet duke dhuruar gjak
Tash e pesë vite për çdo 28 Nëntor banorët e fshatit Pjetërshticë të Shtimes, bëjnë dhurimin vullnetar të gjakut, por ky vit është ende më i veçantë, pasi i dedikohet pjesëtarit të iniciativës vullnetare të këtij fshati, Semedin Dugolli, i cili ndërroi jetë nga virusi Covid-19.
Kryetari i komunës së Shtimes, Naim Ismajli kujtoi veprat e mira të Samedin Dugollit dhe theksoi se ai ishte njëri që ka bërë shumë për këtë iniciativë dhe asnjëherë nuk ka kërkuar diçka në këmbim.
”Të gjitha aksionet e dhurimit të gjakut janë shumë të rëndësishme dhe të veçanta. Por aksioni i dhurimit të gjakut është përtej asaj humanitar sepse sot nevojat më të mëdha janë për gjak për faktin se është një produkt që nuk prodhohet. Dhe një mënyre e tillë nga organizimi dhe zgjedhja e 28 Nëntorit si dite e bëjnë këtë aksion madhështor. Këtë vit ka një veçanti sepse i dedikohet një bashkëthemeluesit të kësaj iniciative, një mikut tonë jo vetëm mik i juaji, ai ishte miku jonë, i cili dha kontribut shumë të madhe edhe ne themelimin e iniciativës, edhe në aksionet e përgjithshme që kanë qenë”, tha Ismajli.
Ndërsa, Faik Ramadani nga Iniciativa Vullnetare Pjetërshticë tha se aktivistin e ndjerë të kësaj iniciative Semedin Dugolli, do ta kujtojmë si një bashkëthemelues.
”Ne e kemi shumë të vështirë të flasim për shokun tonë të dashur sepse përveç që ishte një humanist i madh, ai për ne ishte edhe udhërrëfyes i të gjitha të mirave. Për ne ka qenë mësues dhe këshillues për veprat e sjelljet njerëzore. Ishte praktikues dhe shembull se si duhet dhe si nderohet shoku e miku”, tha ai.
Drejtoresha e Transfuzionit të Gjakut, Bukurije Zhubi tha se kjo ditë kësaj radhe i dedikohet humanistit të devotshëm, Semedin Dugolli.
“Dite kjo që shënon në mesin e shumë aktiviteteve edhe aktivitetin e dhurimit vullnetarë të gjakut i cili kësaj radhe për hatër të 5 vjetorit të dhurimit vullnetarë të gjakut i është dedikuar në shenjë falënderimi dhuruesit dhe promovuesit vullnetarë të gjakut dhe humanistit të devotshëm të gjakut, zotëri Semedin Dugollit”, u shpreh ajo.
Bukurije Zhubi ndau mirënjohje për familjen Dugolli, kryetarin Naim Ismaijli, Iniciativën Humanitare të Pjetërshticës dhe një përfaqësuesit të Batalionit të dytë.