Në Suharekë përjashtohet arsimtarja nga shkolla për shkak të shamisë

Arsimtarja e matematikës, Remzie Lezi në komunën e Suharekës është përjashtuar nga puna, për shkak të bartjes së shamisë.
Sipas një dokumenti të publikuar në rrjete sociale, Këshilli Drejtues i Shkollës ka vendosur në mënyrë unanime, që Lezi të përjashtohet nga shkolla.
“Duke u mbështetur në UA NR 03/2016, neni 3 pika 7, që ndalon bartjen e uniformës fetare, i gjithë Këshilli unanimisht vendosi, që nuk i lejohet arsimtares së matematikës, z. Remzie Lezi të ushtrojë profesionin e mësuesisë në shkollën tonë me uniformë fetare”, thuhet në dokument.

Deputetja e PDK-së, Besa Ismaili ka thënë se ky është rasti kur ajo i sfidon të gjithë ata që thonë se janë kundër diskriminimit, që të reagojnë.
“I sfidoj të gjitha ato që thonin se jam kundër çdo diskriminimi për vajzat dhe gratë +18, por assesi nën 18 vjeç, persona jomadhor apo fëmijë. (Kur vjen fjala te shamia dhe liritë fetare). Ja ku e keni rastin që është rast që ngërthen në vete të drejtën e punës, të drejtat e njeriut, shanset e barabarta dhe barazinë gjinore. Hajde të shohim për të satën herë me rradhë sa të njëmendta ishin deklaratat e juaja”, ka shkruar ajo.

Ndërkaq, deputeti i VV-së, Eman Rrahmani, ka thënë se dokumenti i lëshuar nga këshilli shkollës së sipërpërmendur, nuk ka asnjë vlerë.
“Ky dokument juridikisht nuk ka asnjë vlerë. As drejtori, e as Këshilli Drejtues i shkollës nuk mundet me largu prej pune asnjë mësimdhënës. Drejtoria e arsimit është përgjegjëse për pranimin dhe largimin nga puna të mësimdhënësve. Për më tepër, cenimi i të drejtave të dikujt, duke vepruar jashtë kompetencave zyrtare, është vepër penale”, ka shkruar ai.

Portali rtv21.tv ka kontaktuar edhe me kryetarin e komunës, Bali Muharremaj, mirëpo i njëjti nuk është përgjigjur.
Për lejimin e shamisë në shkolla, para një muaji ishte zhvilluar edhe një fushatë në rrjete sociale.
Kryeministri Albin Kurti, në një konferencë për media e kishte shprehur qëndrimin e tij në lidhje me fushatën e nisur kundër ndalimit të shamisë në shkollat e mesme.
“Qëndrimin tim unë e kam thënë para shumë vjetësh, e qëndrimi është që nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe të elementeve të tjera fetare në jetën publike të qytetarëve. Por, gjithashtu kam thënë se mosha 16-vjeçare është pragu”, kishte thënë Kurti./21Media

Back to top button