Në treg fasule dhe ëmbëlsira me afat të skaduar
Produkte ushqimore me afat të skaduar janë sekuestruar në Pejë dhe është urdhëruar asgjësimi i tyre në prani të inspektorëve.
Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Agjensisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi.
“Inspektorati Sanitar Zyra Regjionale e AUV në Pejë gjatë kontrolleve zyrtare tek një operator tregtues i ushqimeve ka hasur në produkte me afat të skaduar dhe menjëherë inspektorët kanë sekuestruar produktet dhe të njëjtat janë asgjësuar përmes kompanisë së mbeturinave “Ambienti” në Pejë. Në kontrollin e detajuar, tek dyqani shitës janë gjetur fasule dhe produkte të ndryshme ëmbëlsirash, pa afat”, ka deklaruar Thaçi.
Sasia e produkteve të konfiskuara është 50 kilogramë.
Thaçi ka deklaruar se ndaj subjektit në fjalë do të iniciohet procedurë në gjykatën kompetente për vendosje në treg të produkteve që nuk i plotësojnë kushtet për konsum.
Gjithashtu, zëdhënësi bëri të ditur se ka vazhduar edhe inspektimi i marketeve dhe bizneseve të cilat në rast se vendosin në treg produkte me afat të skaduar, do të merren masa ligjore ndaj tyre./21Media