Në Vërmicë sekuestrohen afro 600 fishekë të AK-47

Dogana e Kosovës ka njoftuar se të hënën në pikën kufitare në Vërmicë është parandaluar kontrabandimi i afro 600 fishekëve të armës AK-47.

Fishekët po synohej të kontrabandoheshin nga Shqipëria, ndërsa shoferi i automjetit kishte synuar të shmangte kontrollet doganore.

“Pas ndalimit të automjetit, u dha urdhër për të kryer një kontroll në vijën e dytë të kontrollit doganor. Përpara oficerëve drejtuesi i automjetit ka deklaruar se nuk kishte asgjë në mjetin e tij. Megjithatë, pas një kontrolli të kujdesshëm të automjetit, së bashku me ndihmën e zyrtarëve të policisë që ishin të pranishëm gjatë këtij kontrolli, u zbulua mallrat e ndaluara që ishin fshehur me kujdes në pjesën e pasme të mjetit pranë këmbëve të pasagjerit. Konkretisht, u gjetën 577 copë fishekë për armën tip AK-47. Pas zbulimit të kësaj sasie të municioni, automjeti u dërgua për një skanim të thelluar në doganën e Shqipërisë. Për të siguruar një kontroll më të hollësishëm, u përdor edhe fibroskopi, por nuk u gjet asgjë tjetër të dyshimtë. Municioni i zbuluar është konfiskuar dhe së bashku me rastin i është transferuar Policisë së Kosovës për hetime të mëtejshme”, ka njoftuar Dogana e Kosovës.

Back to top button