Nehammer zëvendëson Kurzin

Partia në pushtet në Austri e emëroi kryetar partie e kancelar ministrin e Punëve të Brendshme, Karl Nehammer, pas dorëheqjes së papritur të ish-kancelarit Kurz nga kreu i partisë.
“Dëshiroj të njoftoj se sot jam emëruar në mënyrë të njëzëshme nga udhëheqësia e Partisë Popullore si kryetar partie dhe njëkohësisht kandidat për kancelar”, tha Nehammer para gazetarëve.
Takimi i partisë në pushtet u zhvillua vetëm një ditë pasi Sebastian Kurz, i përfshirë në një skandal korrupsioni, tha se po jep dorëheqje nga pozita e kryetarit të partisë.
Alexander Schallenberg, i cili e mori detyrën e kancelarit në tetor, tha se është i gatshëm të japë dorëheqje, sepse “posti i kancelarit dhe i kryetarit të partisë duhet të merren shpejt nga i njëjti person”.
Tani i përket presidentit të Austrisë që ta pranojë nominimin e Nehammer-it dhe ky i fundit të betohet, por kjo procedurë është kryesisht formalitet.
Nehammer njihet për qëndrimet e tij anti-migracionit. Si ministër i brendshëm ai ishte i përfshirë në menaxhimin e krizës kundër koronavirusit që nga fillimi i pandemisë./21Media

Back to top button