Nënat bëjnë thirrje për më shumë siguri

Edhe sot është e pame tek familja Islami në komunën e Sarajit, pas humbjes së djalit të tyre 16 vjeçar Hamzës, në incidentin e së shtunës në fshatin Matkë

Ata nuk dëshirojnë të flasin para kamerave. Por mikja e familjes thotë se djaloshi i ndjerë ka qenë shembullor dhe se kurrë s’ka pasur probleme apo zënka me bashkëmoshatarët e tij. Ajo thotë se në ditën e tragjedisë, në qendrën rekreative në Matkë ka pasur të shkojë edhe vëllai i tij, por fatmirësisht ishte vonuar, shkruan TV21.TV

“Nuk mund ta fajësojmë as shkollën, as prindërit. Gjithkush do që fëmija i tij të jetë në rrugë të drejtë. Do t’i kisha lut nënat tona të merren më shumë për edukimin e tyre, pasi që baza është prej në familje. Pastaj kur të dalin nga shtëpia organet kompetente, shkollat, arsimi janë përgjegjës për ato”, tha Hyrije Sali, Banore e Komunës së Sarajit.

Në qendrën e Sarajit, para shkollës fillore “Dituria” u mblodhën nëna, të cilat i bënë thirrje organeve kompetente të ndërmarrin masa për parandalimin e incidenteve të tilla dhe të rrisin sigurinë.

“Ne sot i bëjmë apel komisionit kompetent në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe vetë kësaj ministrie që të mbrohet rendi dhe qetësia publike në shoqëri dhe të marrin masa parandaluese që gjatë vikendeve të ketë patrullime policore më të shpeshta, sidomos nëpër vendet rekreative, sportive, turistike, vende ku incidentet janë më të shpeshta”, u shpreh Nulifer Sali, Banore e Komunës së Sarajit.

Nënat apelojnë që nëpër shkollat fillore dhe të mesme të organizohen projekte edukative kundër dhunës, dhe ti informojnë të rinjtë për dënimet me të cilat mund të përballen në rastet e përfshirjes së tyre në akte të dhunës./21Media

Back to top button