Nënkalimet e mbikalimet e Prishtinës të pashfrytëzueshme

Nënkalimet e mbikalimet e kryeqytetit janë të pashfrytëzueshme nga qytetarët, si pasojë e mos mirëmbajtjes së tyre. Komuna e Prishtinës ndërkaq, thotë se këto hapësira janë duke u keq shfrytëzuar nga qytetarët.

Mbeturinat, balta, papastërtia e kundërmim i rëndë në nënkalimet e mbikalimet e kryeqytetit, i ka bërë ato të pashfrytëzueshme.

Qytetarët ankohen se komuna nuk po i mirëmbanë këto hapësira publike.

“Bërllogu është tmerr, njëherë kom pas kalu atje, unë zakonisht kaloj atje, përndryshe kjo mendoj se është diçka e huqun nuk e ka mbrri efektin e vet kurrë”, tha për RTV21 qytetari Mart Ndrecaj.

“Hiç kurrë unë s’jom hypë qatu, që prej mas luftës..se di kërkon s’pe shoh që hypë e shfrytëzon…e kanë keqpërdorë në tona anët…”, tha qytetari tjetër Shefqet Krasniqi.

“Mendoj që jo, si kom pa tu e shfrytëzu kërkush…pastërtia mos mirëmbajtja s’janë në nivel…”, tha Enver Restelica, qytetar.

Në Komunën e Prishtinës një pjesë të fajit për gjendjen e mbikalimeve dhe të nënkalimeve, ua hedhin qytetarëve.

Afrim Gashi, zyrtar i lartë për infrastrukturë rrugore thotë se në disa prej tyre janë vendosur kamera të sigurisë, mirëpo përsëri nënkalimet po keq shfrytëzohen nga qytetarët.

Megjithatë, ai thekson se jo të gjitha këto hapësira janë në kompetencë të Komunës.

“Mund të them lirisht se ne si komunë herë pas here i pastrojmë nënkalimet, edhe pse disa prej tyre nuk janë në pronësi të komunës por të ministrisë së transportit…por edhe pse nuk janë në pronësi tonën ne në bashkëpunim me ministrinë i mirëmbajmë. Thjesht ne në kuadër te mirëmbajtjeve të rrugës nuk i lëmë mbrapa as nënkalimet, po qytetarët as nuk sillen mirë në nënkalime”, tha Gashi për RTV21.

Sipas Komunës së Prishtinës, në kryeqytet ka nevojë për nënkalime të tjera, mirëpo edhe për ndërgjegjësim të qytetarëve që të mos i keq shfrytëzojnë ato./21Media

Back to top button