Nënkryetari i Prishtinës: Opozita të ndalë propagandën, të ndihmojë në zgjidhjen e problemit

Pas akuzave të VV-së se Komuna e Prishtinës është duke e çuar drejt falimentimit ndërmarrjen publike “Pastrimi” dhe rrjedhimisht po i lë pa punë mbi 900 punëtorë. Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj për RTV21 ka thënë se “propaganda e opozitës për kinse falimentimin e kësaj ndërmarrjeje është e pabazë dhe nuk pasqyron realitetin”

“Ne, si institucion, kemi qenë dhe jemi të përkushtuar që ta mbajmë kryeqytetin tonë të pastër dhe të krijojmë kushte sa më të mira për punetorët e Ndërmarrjes “Pastrimi”. Propaganda e opozitës për kinse falimentimin e kësaj ndërmarrjeje është e pabazë dhe nuk pasqyron realitetin”, ka thënë Zogaj për rtv21.

Ai tutje bëri të ditur se të premten kanë zhvilluar një takim me përfaqësuesit e sindikatës dhe protestuesit dhe se po shqyrtojnë të gjitha mundësitë për t’iu përgjigjur nevojave të tyre në mënyrë konkrete dhe të qëndrueshme.

“Si institucion, jo vetëm që nuk do ta lëmë “Pastrimin” të dështojë, por jemi të vendosur ta ndihmojmë atë që të funksionojë më mirë dhe më efikas. Angazhimi ynë është i qartë: një qytet i pastër dhe punetorë të vlerësuar dhe të motivuar. Çdo përpjekje për të dezinformuar publikun është vetëm përpjekje për përfitime politike në dëm të qytetarëve dhe punetorëve të ndershëm”, ka thënë Zogaj.

Nënkryetari i kryeqytetit i bëri thirrje opozitës siç thotë ai të ndalë propagandën dhe të kontribuojë në zgjidhjen e përbashkët të sfidave.

“Ne jemi të hapur për bashkëpunim dhe për zgjidhje që i shërbejnë qytetarëve tanë”, tha ai.

Punëtorë të ndërmarrjes publike “Pastrimi” kanë protestuar në mëngjesin e së premtes para Komunës së Prishtinës, së cilës i kanë kërkuar që ta anulojë tenderin për angazhimin e pesë operatorëve privatë për grumbullimin e mbeturinave.

Punëtorët kanë shprehur drojën se me këtë mund të falimentojë kompania./RTV21/21Media

VV-ja akuzon Prishtinën se po e falimenton “Pastrimin”, kërkon anulimin e tenderit 16.5 milionësh

Back to top button