​Nënshkrimi për Bordin e Paqes, Osmani: Do jemi bashkë me Shqipërinë krah SHBA-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur mbrëmjen e sotme pas nënshkrimit të ‘Bordit të Paqes’ në Davos, ku ajo firmosi krah Trump dhe vendeve të tjera, në një moment që e quajti historik për Kosovën.

Në një lidhje live për ‘Top Story’, Osmani tregoi se SHBA-ja nuk i ka kërkuar asnjë kontribut financiar Kosovës ai anëtare, duke shtuar se dita e sotme i jep mundësi vendit të forcohet në arenën ndërkombëtare.

“Ne kemi marrë ftesën më 20 janar, dhe në momentin që e morëm ftesën për anëtarësim si anëtare themeluese për Bordin e Paqes, morëm edhe ftesën për të qenë në Davos për nënshkrim. Pas ftesës nga Trump për të qenë në mesin e nënshkruesve që udhëhiqet nga SHBA, udhëtuam për në Davos, por do të kthehemi pas mesnate. Është një ditë me peshë historike, për ne si shtet anëtarësimi në çdo organizatë ndërkombëtare ka rëndësi, për ne si shtet kjo i jep një peshë më të madhe historike, fuqizimi i peshës sonë ndërkombëtare. Kjo na jep një mundësi që të jemi të barabartë mes kombeve të lira, mos të bllokohet potenciali i Kosovës.

Edhe në Kartën e Bordit të Paqes, por edhe në komunikimet me Shtëpinë e Bardhë, nuk na është kërkuar kontribut financiar. Karta e Bordit është shumë e qartë. Funksionimi i organizatës do të varet nga kontributet vullnetare. Ne më shumë kemi diskutuar për të dhënë kontributin tonë. Kosova është një shembull i shkëlqyer i paqebërjes dhe ndërtimit të demokracisë. Për shkak se kemi qenë shtet i dalë nga lufta dhe institucionet i kemi ndërtuar nga 0, ne mund të japim një kontribut të madh, do të jetë kontribut i rëndësishëm”, u shpreh Osmani.

Osmani shtoi gjithashtu se është shumë e lumtur që Kosova do të jetë së bashku me Shqipërinë krah SHBA-së, një moment i cili ka një rëndësi edhe për faktorizimin e kombit shqiptarë brenda një organizate të tillë.

“Për ne është shumë e rëndësishme që edhe Shqipëria është e ftuar, që do të qëndrojmë bashkë krah SHBA-së, ne mund të bashkëpunojmë dhe ta faktorizojmë edhe më shumë kombin shqiptarë brenda një organizate të tillë”, tha Osmani.

Back to top button