“Nëse ma rrëzon shpinë, ta mys djalin krejt”, kërcënimi që iu bë Kryetarit të Prizrenit

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar një muaj paraburgim për F. K i cili dyshohet se ka kanosur kryetarin e Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj,.
“I pandehuri F.K., me datë 24 janar 2023, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, seriozisht e kanos personin zyrtar në lidhje me punën e tij zyrtare dhe atë te dëmtuarin Sh.T.,– Kryetar i Komunës së Prizrenit, në atë mënyrë që për shkak mosmarrëveshjeve paraprake ne lidhje me një kontest pronësor me komunën e Prizrenit, i pandehuri F.K., ditën kritike përmes një personi të tretë, i dërgon porosi djalit të të dëmtuarit me fjalët se “thuaj djalit të Kryetarit le ti thotë babës vet le të ndalet sepse nëse ai nuk ndalet edhe ma rrezon shtëpinë unë djalin e tij ose e rrahi ose e mys krejt”, me çka me këtë veprim tek i dëmtuari Sh.T., dhe familja e tij ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetë. “, thuhet në njoftimin e Gjykatës,.
Sipas njoftimit, masa e paraburgimit llogaritet prej kohës së arrestimit 25.01.2023, dhe mund të zgjasë deri më datën 25.02. 2023. Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se hetimet në këtë çështje penale sapo kanë filluar, dhe duhet të mblidhen prova të tjera për zbardhjen e rastit e me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitar apo asgjësimit dhe fshehjes së provave, apo i pandehuri mund të tipet në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale. “, thuhet në njoftim.
Më tej bëhet e ditur se Gjykata ka ardhur në konstatimin se ekzistojnë arsye për caktimin e paraburgimit, pasi që edhe me datë 06 dhjetor 2022, ndaj të pandehurit është iniciuar hetim për veprën penale të natyrës së njëjtë (Kanosje) ndaj të dëmtuarit të njëjtë (Kryetarit të Komunës së Prizrenit), dhe i pandehuri është edhe përsëritës i veprave penale në tre (3) aktgjykime të plotfuqishme.
“Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, me qëllim të parandalimit të përsëritjes së veprës penale, apo me qëllim të parandalimit të kryerjes së ndonjë vepre edhe më të rëndë penale. “, përfundon njoftimi./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?