Nesër fillon gjykimi ndaj Pjetër Shalës në Hagë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë nesër fillon gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, ndaj të cilit rëndojnë akuza nën pretendimin për krime lufte.
Seanca është paralajmëruar se do të fillojë në ora 9:30, por do të transmetohet me 45 minuta vonesë.
Në paraqitjen e tij të parë, Shala ishte deklaruar i pafajshëm, ndërsa nesër i njëjti do të ketë mundësi të ri-konfirmojë këtë.
Me fillimin e gjykimin, Zyra e Prokurorit të Specializuar, mbrojtësi i viktimave si dhe mbrojtja e Shalës do të kenë nga dy orë për të bërë deklaratat hyrëse.
Ndërsa pas fjalës hyrëse të avokatit të tij, Shala pritet të bëjë një deklaratë pa betim.
Trupi gjykues në këtë çështje ka bërë të ditur se paraqitja e provave, përfshirë thirrjen e dëshmitarëve, do të fillojë më 27 mars të këtij viti.
Mbrojtja ka bërë të ditur se pas deklaratës hyrëse të saj, z. Shala dëshiron të bëjë një deklaratë të shkurtër pa betim, me kohëzgjatje prej përafërsisht 5 minutash. Deri më tani janë pranuar tetë persona për të marrë pjesë në proces si viktima dhe procesi i paraqitjes së kërkesave për pjesëmarrje si viktimë është ende i hapur. Personat të cilët mund të vërtetojnë se kanë pësuar dëm fizik, mendor ose material si rezultat i drejtpërdrejtë i një krimi të pretenduar në Aktakuzën e konfirmuar të korrigjuar, ende mund të paraqesin kërkesë për pjesëmarrje në proces. Këtu mund të përfshihen si personat që kanë pësuar dëm të drejtpërdrejtë ashtu edhe ata që kanë pësuar dëm jo të drejtpërdrejtë, për shembull, për shkak të lidhjes së ngushtë me një viktimë të drejtpërdrejtë që pretendohet se është vrarë ose lënduar”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Pjetër Shala po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.
Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletë-arrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Back to top button