Nesër fillon ora policore në Maqedoninë e Veriut

 

Maqedonia e Veriut prej nesër përsëri në orë policore. Kufizimi i lëvizjes do të fillojë nga ora 22 e mbrëmjes e deri në ora 5 e mëngjesit, dhe kjo masë anti-kovid do të jetë në fuqi deri më 22 mars. Ndalesa e lëvizjes së lirë vlen edhe për automjetet e transportit publik. Kryeministri Zaev tha se për zgjatjen eventuale të orës policore do të vendosin autoritet shëndetësore.

“Sidoqoftë e kemi parasysh se në prill vijon agjërimi i Ramazanit dhe festa të tjera. Vendimi ka po ashtu edhe rol parandalues, përskaj shkakut, që është rritja e numrave. Po ashtu u miratua masa e karantinës së detyrueshme për qytetarët tanë që kthehen nga Afrika dhe u obligua Sekretariati i Përgjithshëm të sigurojë objekt për karantinë shtetërore për të huaj që vijnë nga Afrika”, tha Zoran Zaev – kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Ora policore vjen si pasojë e rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus dhe ka për qëllim parandalimin e shpërndarjes, tha Zaev, ndërsa njeriu i parë i policisë, Oliver Spasovski, tha se masat restriktive janë të domosdoshme për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

“Vendimet që duhet patjetër t’i marrim, askush nuk i dëshiron, por ato janë rezultat i sjelljes së të gjithë neve. Nëse nuk i respektojmë rekomandimet, nëse nuk mbajmë maskë mbrojtëse, nëse grupohemi dhe bëjmë ngjarje që sigurisht nënkuptojnë përhapjen e virusit, atëherë shteti duhet të reagojë në një moment”, u shpreh Oliver Spasovski – Ministër i Punëve të Brendshme./TV21

Back to top button