Nesër mbahet Kuvendi i dhjetë Zgjedhor i LDK-së

Të dielën, më datë 19 nëntor 2023, në orën 14:00 mbahet Kuvendi i dhjetë Zgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në njoftimin e LDK-së thuhet se Kuvendi mbahet në Sallën e Sporteve në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Mediat ftohen të marrin pamje në fillim të punimeve të Kuvendit Zgjedhor si dhe gjatë fjalimit të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Më pas vazhdojnë punimet e Kuvendit pa prezencën e mediave.

Pas përmbylljes së procesit zgjedhor kryetari i LDK-së deklarohet për medie.

“Mediat gjatë prezencës së tyre janë të vendosura në hapësirat e shikuesve, duke përdorur hyrjen e sipërme të sallës. Ju lutemi shumë që t’i respektoni të gjitha këto detaje. Po ashtu për çdo pyetje, kërkesë apo paqartësi drejtojuni njerëzve tanë të cilët i dalloni me ID Staff”, thuhet në njoftim.

Në garë për kryetar të partisë janë kreu aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga LDK-ja, Faton Bislimi.

Bislimi ka njoftuar se nëpërmjet një shkrese zyrtari u ka bërë me dije Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, se ka vendosur që në Kuvendin e dhjetë të LDK-së, do të paraqesë para delegatëve, kandidaturën për kryetar të partisë.

Sipas tij, LDK nuk rritet e ringrihet duke anashkaluar, përjashtuar, e përbuzur, por duke përbashkuar, respektuar, e mirënjohur secilin që ndanë besimin për të.

“Statuti është i qartë në çështjen e zgjedhjes së kryetarit të LDK-së. Ju e dini se mandati i kryetarit aktual ka skaduar edhe kryetari i aktual është i gatshëm të rikandidojë dhe një kandidaturë, siç është e imja, do të duhej të vendoseshin në kutinë e fshehtë siç e përcakton statuti nga 355 delegatët e LDK-së në ditën e Kuvendit zgjedhor”, ka pohuar Bislimi.

Ka disa muaj që Lidhja Demokratike e Kosovës ka filluar zgjedhjet e brendshme të partisë dhe ka zgjedhur kryetarët e degëve dhe nëndegëve në të gjitha komunat e Kosovës.

Abdixhiku para pak ditësh ka publikuar një këngë me videoklip, përmes të cilës thotë se “Rruga e re e LDK-së po nis”.

“Në po të njëjtën ditë, në ngjarjen vijuese, thërras anëtarësinë tonë në ngjarjen e madhe të Konventës Programore “Rruga e Re”. Le të ketë festë! Le të ringrihemi si një”, kishte thënë ai.

Ndryshe, Lumir Abdixhiku kishte marrë drejtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) më 14 mars 2021, përballë dy kundërkandidatëve tjerë, nënkryetarit Lutfi Haziri dhe anëtarit të kryesisë, Besian Mustafa. LDK është partia e dytë më e madhe opozitare në vend.

Back to top button