Nesër mblidhen deputetët për dy seanca plenare
Deputetët e Kuvendit të Kosovës këtë të enjte do të mblidhen në dy seanca plenare.
Sipas njoftimit të Kuvendit, në orën 10:00 do të mbahet vazhdim i seancës plenare me pikat e papërfunduara nga seanca e kaluar. Në të pritet të votohet Raporti me Rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit Nr. 06/L-016 për Shoqëritë Tregtare; të shqyrtohet Raporti me Rekomandime lidhur me problemet e evidentuara në NP KOSTT Sh.A; dhe formimi i Organit Përzgjedhës të Pavarur për përzgjedhjen e kryetarit dhe katër anëtarëve të Bordit në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Nga ora 10:30, pritet të mbahet seancë e re plenare me pikat si në vijim:
1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
2. Pyetjet parlamentare,
3. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 08/L-024 për ratifikimin e Amendamentit nr.1 të Marrëveshjes të lidhur ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë Hungareze në lidhje me Programin Kornizë për bashkëpunim financiar,
4. Zgjedhja e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës,
5. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2020,
6. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2020,
7. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2020,
8. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2020,
9. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për vitin 2020.
10. Propozimi i Grupit Parlamentar të Listës serbe për zëvendësimin e anëtarit në komision parlamentar.