Nesër rivarrosen eshtrat e martirëve të masakrës së Rezallës

Komuna e Skenderajt sonte ka informuar se nesër do të bëhet ceremonia e rivarrimit për martirët e masakrës së Rezallës, eshtrat e të cilëve janë gjetur dhe zhvarrosur nga varreza masive në Kizhevak të Serbisë.
Ceremonia e rivarrimit do të mbahet nesër me datë, 09.10.2021, nga ora 14:00, në Kompleksin e varrezave të martirëve në Rezallë.
Para një jave, pranë pikës kufitare në Merdare, familjarë, të afërm nga Rezalla dhe organizata joqeveritare kanë pritur trupat e më të dashurve të tyre.
Vetëm në fazën e dytë të gërmimeve, të vazhduara më 5 maj, janë gjetur shtatë trupa.
Përkundër fakteve të fshehjeve të krimit, asnjë person ende nuk është i dënuar.
Kosova po kërkon përgjigje për 11 lokacione të tjera, ku dyshohet për trupat e kosovarëve, të cilët janë vrarë, masakruar e zhdukur.
Në territorin e Serbisë, në katër lokacione të tjera janë zbuluar varreza masive me trupat e mbi 940 shqiptarëve të vrarë në Kosovë në vitin 1999. Tash e pesë vjet në Kizhevak të Rashkës janë kërkuar mbetjet mortore të personave që janë vrarë e zhdukur gjatë luftës./21Media

 

Back to top button