Nesër vazhdon seanca në përpjekjen e 50-të për konstituimin e Kuvendit

Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen të hënën, për herë të 50-të, në një përpjekje tjetër për ta konstituuar legjislaturën e nëntë, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt. Vazhdimi i seancës konstrituive do të fillon në orën 11:00.

Të shtunën ka dështuar edhe përpjekja e 50-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari ka kërkuar dje nga subjektet politike që nuk kanë propozuar emër për anëtarë të Komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit që ta bëjnë një gjë të tillë, por si zakonisht ata kanë refuzuar.

Në votimin e Komisionit për votim të fshehtë nga 90 deputetë të pranishëm, për votuan 50 deputetë, derisa nuk pati as vota kundër e as abstenim, pasi pjesa tjetër e deputetëve si zakonisht deri më tash, nuk morën pjesë në votim.

Ndërkaq procesi i konstituimit të Kuvendit po vazhdon të mbetet i bllokuar në pikën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, çka ka pamundësuar vazhdimin e rregullt të punës së këtij institucioni për më shumë se katër muaj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në javën e ardhshme, nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohet edhe në fundjavë.

“Ne jemi duke e përgatitur lëndën për Kushtetuese dhe nëse edhe gjatë fundjavës nuk ka marrëveshje që mund të rezultojë me institucione të konstituuara, në fillim të javës do t’i drejtohemi Gjykatës, por nuk e dimë sa kohë do t’i duhet asaj për t’u përgjigjur”, ka thënë Osmani.

Presidentja paralajmëron: Nëse s’ka zgjidhje deri në fundjavë, i drejtohem Kushtetueses

Back to top button