“Netflix” konfirmon përdorimin e AI-së për filma dhe seriale “më të mirë dhe më të lirë”

Platforma “Netflix” ka përdorur për herë të parë inteligjencën artificiale gjenerative në një nga serialet e saj, në një përpjekje për të realizuar filma dhe seri televizive më të mira dhe me kosto më të ulët.

Pas publikimit të rezultateve të tremujorit të dytë të kompanisë, të enjten (17 korrik), bashkë-drejtuesi ekzekutiv Ted Sarandos konfirmoi para analistëve se seriali argjentinas i zhanrit sci-fi, “The Eternaut”, është projekti i parë në platformë që ka përdorur AI.

“Ne mbetemi të bindur se inteligjenca artificiale përfaqëson një mundësi të jashtëzakonshme për t’i ndihmuar krijuesit të bëjnë filma dhe seri më të mira, jo vetëm më të lira”, deklaroi 60-vjeçari, raporton “Independent”.

Sipas Sarandos, seriali në gjuhën spanjolle – i cili ndjek të mbijetuarit e një reshjeje dëbore vdekjeprurëse që shkatërron popullatën – përdori AI për të rikrijuar pamjet e një ndërtese që shembet në Buenos Aires. Ai shtoi: “Ajo sekuencë është pamja e parë përfundimtare e krijuar nga AI që shfaqet ndonjëherë në një serial ose film origjinal të Netflix-it. Krijuesit ishin jashtëzakonisht të kënaqur me rezultatin”.

Duke lavdëruar punën e ekipit të efekteve vizuale, Sarandos shtoi: “Duke përdorur mjete të fuqizuara nga AI, ata arritën të realizojnë një rezultat mahnitës me shpejtësi të pabesueshme, dhe në fakt, ajo sekuencë e efekteve vizuale u përfundua 10 herë më shpejt sesa do të mund të bëhej me mjetet tradicionale të VFX”.

Ai theksoi gjithashtu se përdorimi i AI i ka dhënë mundësi serialit, i cili ka buxhet të kufizuar, të ketë efekte bindëse që ndryshe “nuk do të ishin të realizueshme” për një projekt të atij dimensioni.

Back to top button