New Born-i merr pamje të re
12 vjetori i shpalljes së pavarësisë
Secila shkronjë përfaqëson një histori të trishtuar në vete. Rikujtojnë vuajtjet e kategorisë që drejtësi kërkon tash e 20 vjet, por ende pa rezultat.
Në vitin e 12-të të shpalljes së pavarësisë, New Born – simboli i Pavarësisë së Kosovës i kushtohet të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, me qëllim të rritjes së vetëdijes së popullatës për gjendjen e të mbijetuarve, por veçanërisht luftimin e stigmës dhe mobilizimin për më shumë mbështetje për të mbijetuarit.
Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti tha këtë vit New Born-i dedikohet një kategorie të ndjeshme, ku në secilën nga shkronjat janë të ndërthurur rrëfimet e viktimave të dhunës seksuale kudo në botë.
“Mendojmë që një herë e mirë shoqëria kosovare do të ndalet së paragjykuari dhe të anashkalojë vuajtjet që kanë përjetuar viktimat e dhunës seksuale. Falënderoj kryetaren e Kuvendit të Kosovës që i është bashkangjitur fushatës sonë, me qëllim që përtej shoqërisë civile dhe shoqërisë kosovare, për të parë dhe lexuar rrëfimet e dhunës seksuale. Zëri i të mbijetuarve të dëgjohet në Parlamentin e Kosovës dhe institucionet e Kosovës”, deklaroi Rushiti.
E, Vjosa Osmani që udhëheq Kuvendin e Kosovës konsideron se zëri i secilit qytetar të Kosovës për të luftuar stigmën është i nevojshëm, në mënyrë që të nderohet sakrifica dhe përjetimet e tyre gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Vëllai i Vasfijes, Nafi Krasniqi kërkoi nga të gjithë që të mbështesin viktimat e dhunës seksuale, pasi sipas tij deri më tani nuk është bërë mjaftueshëm.
“Nëse është dikush që ka vuajtur shumë pas luftës, 12 vite pas pavarësisë është pikërisht kjo kategori e grave dhe burr ave që kanë fatin e keq. Ne ju bëjmë thirrje të gjithëve t’i mbështesin për shkak se ajo që u ka ndodhur atyre nuk është turp, por turpi më i madh është se ne si shoqëri kemi bërë shumë pak”, tha Krasniqi.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, raportohet se janë dhunuar afër 20 mijë gra e burra. Ata që kanë shkaktuar këto dhunime, ende nuk kanë gjetur dënimin e merituar.
Në nderim të viktimave të dhunës seksuale, përfaqësues të organizatave për mbrojtjen e tyre dhe pjesëtarë të kabinetit qeveritar u përkulën sot edhe para memorialit “Heroina”.