Rusia vazhdon të kundërshtoi Malin e Zi në NATO

Mali i Zi është “tërhequr” me dhunë në Aleancë!

Ministria e Jashtme e Rusisë ka vlerësuar se vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të nënshkruar protokollin për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO është një gabim i madh, pasi që bie ndesh me interesat thelbësore të popullit malazez dhe i shkakton dëm stabilitetit të Ballkanit dhe Evropës në tërësi, shkruan rtv21.tv

Në kumtesë u theksua se nënshkrimi i protokollit dëshmon se politika e Uashingtonit është inerte dhe se Mali i zi është tërhequr me dhunë në aleancë, pa marrë me këtë rast parasysh vullnetin e popullit.

“E shohim këtë hap si një pasqyre të politikës inerte të Uashingtonit, politikë kjo e cila pasqyron logjikën e konfrontimit në kontinentin e Evropës dhe si tërheqje të vijave të reja të ndarjes. Ne konstatojmë se tërheqja e dhunshme e Malit të Zi në NATO është bërë duke injoruar vullnetin dhe mendimin e popullit të këtij shteti ballkanik”, thuhet në kumtesën e ministrisë së Jashtme të Rusisë.

Siç dihet, Shtëpia e Bardhë më 11 prill konfirmoi edhe zyrtarisht se presidenti amerikan, Donald Tramp, ka nënshkruar protokollin për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO./21Media

Back to top button