Kaloni te përmbajtja kryesore

New Yorku nderon Isa Boletinin, heroi shqiptar merr emër rruge në SHBA

Në Staten Island të Nju Jorkut u inaugurua rruga me emrin e heroit kombëtar shqiptar, Isa Boletini.

Ceremonia u zhvillua me nderime nga Policia e Nju Jorkut dhe me intonimin e himnit amerikan dhe atij shqiptar, duke krijuar një atmosferë solemne që pasqyroi respektin e thellë për figurën e heroit tonë kombëtar.

Projekti u realizua falë bashkëpunimit të komunitetit shqiptar të Staten Island-it, të udhëhequr nga Naser Nika, i cili vlerësoi rëndësinë e madhe që ky emërim ka për diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara.

Kryetari i Bashkisë së Staten Island-it, Vito Fosella, në fjalën e tij tha se sot po nderohet kujtimi i Isa Boletinit, një figure që kundërshtoi tiraninë dhe luftoi për Shqipërinë e Bashkuar.

Ai kujtoi përvojën e tij në Ballkan 25 vite më parë, duke theksuar se liria në Kosovë ishte e brishtë dhe se SHBA qëndroi krah për krah me shqiptarët për ta mbrojtur atë.

“SHBA gjithmonë do të qëndrojë krah për krah me popullin shqiptar,” u shpreh Fosella.

Ndërsa këshilltari i qytetit të Nju Jorkut, David Carr, theksoi se me këtë emërtim po nderohet një lider historik shqiptar, vendimtar për krijimin e Shqipërisë së Pavarur.

Ngjarja u mirëprit nga përfaqësues të institucioneve shqiptare dhe kosovare. Të pranishëm ishin:

– ministri në detyrë i Kosovës, Faton Peci,
– ministri shqiptar nga Mali i Zi, Fatmir Xheka,
– zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai,
– kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj,
si dhe ambasadorja e Shqipërisë pranë OKB-së, Suela Janina.

Kjo ngjarje shënon një tjetër moment të rëndësishëm në promovimin e figurave kombëtare shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe forcimin e lidhjeve mes komunitetit shqiptaro–amerikan dhe institucioneve vendore./21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button