Nga 1 janari TVSH-ja kthehet nga 8% në 18%
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), sot ka rikujtuar të gjithë tatimpaguesit e regjistruar për TVSH se, për furnizimet e mallrave dhe shërbimeve në veprimtarinë hoteliere, restorante dhe shërbime të ushqimit, aplikojnë normën e reduktuar të TVSH-së prej 8% vetëm deri me datë 31.12.2021.
Sipas njoftimit të ATK-së, pas kësaj date këto furnizime tatohen sipas normave të përcaktuara me Ligjin në fuqi për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, që i bie 18%.
“Pra, nga data 01.01.2022, furnizimet e mallrave dhe shërbimeve në veprimtarinë hoteliere, restorante dhe shërbime të ushqimit, tatohen sipas normave të përcaktuara me Ligjin Nr. 05/L-037 për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, thuhet në njoftimin e ATK-së.
Po ashtu, ATK ka njoftuar se të gjithë tatimpaguesit e regjistruar për TVSH, bazuar në Ligjin Nr. 07/L-016 për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID 19, për transaksionet e sigurimit dhe ri-sigurimit në bujqësi, për policat e sigurimeve bujqësore për kulturat bujqësore, me rastin e furnizimit të tyre nuk aplikojnë TVSH vetëm deri me datë 31.12.2021, me kusht që të kenë plotësuar kriteret e përcaktuara me vendim nga Ministri i Bujqësisë. Pas kësaj date këto furnizime tatohen sipas normave të përcaktuara me Ligjin në fuqi për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.
“Nga data 01.01.2022, transaksionet e sigurimit dhe ri-sigurimit në bujqësi, për policat e sigurimeve bujqësore për kulturat bujqësore, tatohen sipas normave të përcaktuara me Ligjin Nr. 05/L-037 për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, thuhet në njoftimin e Administratës Tatimore të Kosovës./21Media