Nga 20 gushti pa dëshmi vaksinimi s’do të lejohen klientët në ambientet hoteliere-gastronomike
Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës bëri të ditur detajet nga takimi me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, me ç’rast u diskutua për masat e reja kundër pandemisë COVID-19.
Në një njoftim për media u bë e ditur se pas rritjes së numrit të të infektuarve me COVID-19, me datë 20.08.2021 do të ketë vendime të tjera kufizuese.
”Sa i përket sallave të dasmave do të funksionojnë deri në orën 22:30, me kapacitet të mysafirëve deri 150. Klubet e natës do të mbyllen deri më datë 01.09.2021. Të gjitha restorantet ditore, kafiteritë etj., do të punojnë deri në orën 22:30. Nga data 20.08.2021 pa dëshmi vaksinimi apo test PCR nuk lejohen klientët në asnjë nga ambientet hoteliere-gastronomike”, u bë e ditur në njoftim.
OHT apelon të gjithë qytetarët që t’i respektojnë masat e reja dhe sa më shumë të vaksinohen.