Nga 28 tetori “Zgjoi” shfaqet në Kosovë

Filmi “Zgjoi” u shfaq para mediave kosovare dhe u konfirmua se do të shfaqet për audiencën vendore në kinemanë “Cinneplex” në Prishtinë që nga 28 tetori, përderisa në Prizren shfaqet një ditë më pas.
Ky film që paraqet ngjarje nga paslufta në Kosovë, shpalos historinë e Fahrije Hotit dhe grave të tjera nga fshati Krushë e Madhe, burrat e të cilave u zhdukën në luftë, është i propozuari i Kosovës për nominim për çmimin Oscar. Regjisorja e filmit “Zgjoi” që fitoi çmime në festivalin pretigjoz “Sundance”, Blerta Basholli, duket optimiste për nominimin eventual, por është e vetëdijshme se nevojitet shumë punë për promovim të filmit.
Producenti i këtij filmi, Yll Uka, deklaron se kampanja për promovim të filmit “Zgjoi” në SHBA vecse ka filluar. Ai tingëllon skeptik kur flet për mbështetjen e Ministrisë së kulturës apo institucioneve të tjera të Kosovës në këtë çështje, thotë se nuk kanë asgjë konkrete nga këto. Uka konfirmon se filmi lansohet në kinematë e Amerikës nga nëntori, e kampanja është tepër e rëndësishme edhe për çmime të tjera, pos çështjes së nominimit për Oscar.
Tema e filmit “Zgjoi” që pasqyron jetën në Kosovën e pasluftës për gratë që humbën burrat, nuk ka për synim vetëm të paraqesë vështirësitë, por edhe motivin për të vazhduar jetën, e për t’u zhvilluar – kështu shprehet aktorja në rolin kryesor në këtë film, Yllka Gashi.
Regjisorja Basholli është motivuar nga suksesi i filmit “Zgjoi” që të vazhdojë më tutje me projekte të tjera. Para se të shpalosë një ide për film, bazuar nga jeta e saj në Prishtinën e paraluftës, bën me dije se në vend jepet pak buxhet për këta filma.
Filmi “Zgjoi” që bazohet në histori të vërtetë, është bashkëpodhim në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut. Pas sukseseve të shumta në festivale të rëndësishme të filmit nëpër botë, “Zgjoi” që u disktua gjërësisht në Kosovë, potencialisht do të tërheqë turma shikuesish nëpër kinema./21Media

Back to top button