Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë, për 30 të dyshuar, të cilët janë ndaluar gjatë aksionit të realizuar me datë 18.09.2020 në fshatin Karaçevë, Komuna e Kamenicës dhe rajone tjera.

Gjykata njoftoi se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri F.L., në fshatin Karaçevë, në cilësi të zyrtarit policor, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, në mënyrë të vazhdueshme ka ndihmuar, fshehur  dhe nuk ka penguar kryerjen e veprës penale nga ana e të dyshuarve të tjerë, të cilët duke kaluar  vijën kufitare kanë shmangur kontrollin doganor, përmes rrugëve ilegale dhe kanë bërë kontrabandimin e mallrave të ndryshme. Gjithashtu, i njëjti, në lokalin e tij në të njëjtin vend, në vazhdimësi ka organizuar lojërat e fatit, të cilat janë të ndaluara me ligj.

Ai dyshohet se ka kryer dy vepra penale ‘’Kontrabandimi me mallra’’ dhe ‘’Organizimi  i skemave  piramidale  dhe bixhozit  të paligjshëm’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ndërkohë të dyshuarit H.K., S.K., I.S., F.K., A.K., F.Z., R.TH., S.G., S.N., S.M. dhe Z.A., në cilësinë e zyrtarëve policorë, në mënyrë të vazhdueshme dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror kanë ndihmuar, lehtësuar, fshehur dhe nuk kanë penguar kryerjen e veprës penale nga ana e të dyshuarve tjerë, të cilët kanë shmangur kontrollin doganor, përmes rrugëve ilegale dhe kanë bërë kontrabandimin  e  mallrave të ndryshme.

Me këto veprime, sipas Gjykatës, të njëjtit dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘’Kontrabandimi me mallra’’, të KPRK-së.

Të pandehurit D.S., A.Th., A.S., B.S., F.S., A.S., N.K., S.D., B.S, F.S., Sh.S., E.K., F.S., V.S., dyshohet se kanë kryer veprat penale ‘’Kontrabandimi me mallra’’, pasi në bashkëpunim mes vete dhe zyrtarët e dyshuar policorë, në mënyrë të vazhdueshme kanë shmangur kontrollin doganor dhe përmes rrugëve ilegale kanë bërë kontrabandimin me mallra.

Ndërsa, të pandehurit Y.F., RR.G., N.Ç. dhe L.G., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë bërë organizimin e lojëra të fatit, të cilat janë të ndaluara me ligj, ku me këto veprime të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Organizimi  i skemave  piramidale  dhe bixhozit  të paligjshëm’’, të KPRK-së.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, Ramiz Azizi, i cili ka dhënë urdhër për hetimin dhe bastisjen në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës, pas mbajtjes së seancës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, pasi që caktimi i masave tjera alternative do të pengonin zhvillimin normal të procedurës penale“, përfundoi njoftimin Gjykata./21Media